Uashington, 6 nëntor – Për herë të parë pas dy dekadash, demokratët morën kontrollin e plotë ndaj pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv në Virxhini, ndërkaq sipas të gjitha gjasave, do të korrin fitore edhe në vatrën republikane, Kentaki, transmeton gazeta KOHA.
Në Virxhini, është fituar Senati dhe Dhoma përfaqësuese e shtetit federal. Vlerësohet se me pushtetin e fituar këtu, demokratët kanë fushë të hapur për fitore në betejën për Shtëpinë e Bardhë.
Në Kentaki, gjithashtu, triumfuan demokratët – përfaqësuesi i tyre Endi Besher shpalli fitore ndaj guvernatorit aktual, Met Bevin. Ai tani për tani nuk ka pranuar humbje sepse dallimi në vota është i ngushtë dhe ende po rinumërohet, dhe bëri thirrje për paanshmëri. Kentaki konsiderohej si vatër republikane dhe presidenti Donald Tramp në moment të fundit erdhi këtu për të siguruar fitore.
Rezultatet nga votimi i djeshëm dërgojnë sinjal për të dy partitë, një vit deri në zgjedhjet presidenciale. Votuesit në vendet provinciale në Kentaki dhe Virxhini votuan në dobi të demokratëve dhe nëse ky trend vazhdon, rizgjedhja e Trampit në Shtëpinë e Bardhë bëhet gjithnjë e më e paqartë. Suksesi i demokratëve i referohet strategjisë për t’u evituar tema të tilla si “sigurimi i përgjithshëm shëndetësor”, i cili dominoi në debatet e deritanishme demokratike të kandidatëve për president nga kjo parti.
Në Virxhini, demokratët korrën fitore në këto pjesë ku mbështetja për partinë gradualisht rritej gjatë viteve të fundit. Ngjashëm edhe në Kentaki, Beshir korri fitore në ato zona periferike të cilat para katër viteve votuan për republikanin Bevin. Nga pjesë të tjera janë zgjedhur republikanë, por është fakt se demokrati ka mundësi të madhe të bëhet guvernator i këtij shteti federal.
Zgjedhje dje pati edhe në Misisipi, edhe Trampi e vizitoi shtetin federal për mbështetje të bazës së atjeshme të fuqishme partiake, ku në garë të ashpër, fitoi zëvendës guvernatori aktual, republikani Tejt Rivs, të cilit iu kundërvu prokurori shtetëror, demorkati Xhim Hud.(koha.mk)