Është më e paguara në botë, më e zonja, por fituesja e “Topit të Artë” në futbollin e femrave nuk do të jetë në sfidën Francë-Norvegji, në Botërorin që po zhvillohet pikërisht në fushën e “gjelave”. Po flasim për Ada Hegerberg, ylli i Lyon, që ka hequr dorë nga Botërori me kombëtaren e saj.
Nuk e ka bërë për para, sepse ato i dalin dhe i mjaftojnë, por për të kontestuar trajtimin e padrejtë ose jo të ngjashëm të federatës, karshi meshkujve dhe femrave.
Edhe pse Norvegjia rriti pagesat në grumbullimet me përfaqësuesen edhe për femrat, pra duke i barazuar me meshkujt, diskriminimi i seksit vazhdon ende, aq sa shpesh reklamat bëhen falas te femrat, ndërsa meshkujt paguhen çdo qindarkë.
Ndërsa në Francë, aty ku biondja Hegerberg luan, pagesa është thuajse e ngjashme me disa lojtarë të Ligue 1 për meshkuj, që aktivizohen me ekipe të mesit të renditjes. Hegerberg fiton 400 mijë euro në vit, pa bonuse, pra më shumë se gjysma e lojtarëve të Strasbourg, Dijon, Caen e kështu me rradhë.
Megjithatë, në Botërorin e Femrave, ku do të ishte pikë e fortë për Norvegjinë, mungon. Protesta ndaj federatës norvegjeze vazhdon… Kulmi u arrit kur një agjenci reklamash refuzoi të sponsorizonte femrat, pasi futbolli i tyre nuk dukej edhe aq interesant.