Votimi i ditës së diel, thonë ekspertët, dërgoi një porosi të vetme të votuesve deri të partitë, pavarësisht se cilës parti i takojnë. Fitues është pakënaqësia dhe zhgënjimi i qytetarëve ndaj partive, sidomos atyre në pushtet ngase pritjet ishin shumë më të mëdha sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik
Zejnulla VESELI
Shkup, 23 prill – Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale u mbyll me një epërsi shumë të vogël të kandidatit të LSDM-së, mbështetur nga 31 parti të koalicionit qeveritar përfshirë këtu edhe partitë shqiptare në pushtet BDI, PDSH dhe Alternativa kundrejt kandidates ë VMRO-DPMNE-së. Rënie më të madhe të votuesve më 21 prill dhe atë 100 mijë vota më pak, sipas analistëve politik, ka LSDM e Stevo Pendarovski krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale, shkruan gazeta KOHA.
Në anën tjetër, VMRO-DPMNE me kandidaten e saj Gordana Siljanovska edhe kësaj radhe fitoi votat standardet – 300.000. Humbës më të mëdhenj janë votuesit shqiptarë, gjegjësisht kandidati Blerim Reka, i cili mori rreth 80 mijë vota në rrethin e parë dhe për dallim nga zgjedhjet e presidenciale të vitit 2009, ku për president garonin tre kandidatë shqiptarë të partive shqiptare, të cilët së bashku në rrethin e parë morën mbi 250.000 vota, ndërsa tani me një kandidat shqiptar mesi arritën të votojnë 80 mijë votues shqiptarë. Sipas analistëve politik, votimi i ditës së diel dërgoi një porosi të vetme të votuesve deri të partitë, pavarësisht se cilës parti i takojnë. Fitues është pakënaqësia dhe zhgënjimi i qytetarëve ndaj partive, sidomos atyre në pushtet ngase pritjet ishin shumë më të mëdha sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik.
Lupço Popovski, analist politik thotë se pavarësisht se të gjithë aktorët në këto zgjidhje në raundin e parë të garës presidenciale shpallën fitore, VMRO-DPMNE në një atmosferë euforike, LSDM , BDI, PDSH dhe Alternativa me një buzëqeshje të hidhur, ndërsa partitë opozitare shqiptare deklaroni se e kanë deklasuar politikën mashtruese të partisë shqiptarë në pushtet, në të vërtet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të së dielës tregoi se të gjitha janë humbës.
“LSDM e dinte se Ligji i gjuhëve dhe Marrëveshja e Prespës janë ngarkesë e rëndë politike, por më shpresë se qytetarët do të votojnë për ardhmërinë. Prisnin se numri i qytetarëve që do të votojnë për Maqedoninë në NATO dhe BE do të jenë shumë më i lartë se votimi për referendumin. Por si duket kjo ishte matematikë e gabuar. Partia në pushtet gaboi me fushatën e udhëhequr vetëm për NATO dhe BE, duke anashkaluar pakënaqësitë e qytetarëve nga mos plotësimi i premtimeve siç ishte Ligji i turpshëm për amnisti, taktizimet për PSP-në, nepotizmi dhe punët e këqija të disa kryetarëve të komunave dhe kërbaçi i qytetarëve ju erdhi papritur në këto zgjedhje”, thotë Popovski, ndërsa shton se Pendarovski, në njëfarë mënyre ishte kurban i shumë politikave të gabuara dhe keq të menaxhuara nga LSDM. “Partive në pushtet i nevojitet një debat brenda partnerëve të koalicionit, por jo debat dosido, por një debat i vërtet që të kuptojnë qartë se ku gabuan”, thotë Popovski. Ndërkaq sa i përket euforisë së VMRO-së, Popvski shprehet se ishte i kurdisur fakti se VMRO kishte vetëm një qëllim – t’i parandalojë në start përgjegjësitë e kësaj partie duke premtuar se do të fitojnë 500.000 vota me Siljanovskën në rrethin e parë, kurse e arriti rezultatin e zgjedhjeve të fundit lokale të fiton diçka më tepër se 300.000 vota.
“Në një farë mënyre kjo ishte dhe një frenim i rënies drastike në zgjedhjet e fundit të VMRO-DPMNE-së dhe shans i mirë për të konsoliduar trupin e saj votues. Duhet të ofrojë ide të reja e jo fushatë negative”, thotë Popovski, ndërsa shprehet se në momente të caktuara, edhe më e pakuptimtë bëhej arroganca e Siljanovska Davkova e cila mendonte se ajo është më e mençura jo vetëm nga kolegët e saj që i kishte kundërkandidat, por se është më e mençur se të gjithë kolegët e saj të Fakultetit. Për rrethin e dytë zgjedhor, Popovski thotë se Pendarovskit i duhet një garë e vërtet politike dhe jo përqafime nëpër debate. “Fushata para rrethit të parë më tepër ishte një patetike kurtuazi, dhe dëm më të madh pati Pendarovski. Se sa vetë ai dhe Shtabi i tij do nxjerrin mësim të mirë, këtë do shohim në ditët në vijim. Në rrethin e dytë, Pendarovski futet në garë më një epërsi shumë të vogël nga Siljanovska që në realitet do të thotë alarm i kuq për politikat qeveritare dhe shtrohet me të drejtë pyetja sa BDI me sinqeritet ka punuar për dhënien e votave në konton e Pendarovskit apo kaq e ka kapacitetin e votuesve potencial të BDI-së”, thotë Popovski.
Robert Nesimi, ekspert për zgjedhje, shprehet se dy fenomenet kryesore të rrethit të parë ishin dalja e ulët dhe fitorja e thellë e opozitës edhe në kampin shqiptar edhe atë maqedonas. “Mesazhi pra ishte e qartë, njerëzit janë të lodhur dhe demotivuar nga politika, ndërsa edhe ata qytetarë që janë politikisht aktivë, janë tejet të pakënaqur me punën e kësaj Qeverie”, thotë Nesimi. Me votën 2:1 në favor të Rekës, thotë Nesimi, ishte mesazh i pastër i komunitetit shqiptar.
“Ata kuptuan dhe e dëshmuan me vota se Pendarovski nuk ishte ndonjë kandidat i dakorduar nga bashkësitë e mëdha etnike, por kandidat i pazareve të partive politike të pushtetit”, thotë Nesimi. Sa i përket rrethit të dytë, Nesimi shprehet skeptik nëse do të arrihet censusi. “Ata që votuan Rekën kanë antipati për Siljanovskën, ndërsa simpatitë për Pendarovskin i humbën gjatë fushatës kur partitë e koalicionit qeveritar sulmuan në mënyrë të ndyrë kandidatin Reka. Prandaj nuk mendoj se ata do të dalin në zgjedhje në numër të madh. Nga ana tjetër, motiv nuk kanë as votuesit e BDI-së, sepse atyre në fakt ju konvenon dështimi i zgjedhjeve me qëllim që u.d. kryetar të bëhet përkohësisht Talat Xhaferi”, thotë Nesimi, duke shtuar se në këto rrethana, nuk pret ndonjë dalje të theksuar te shqiptarët. “Por ia kam frikën fenomenit të mbushjes së kutive, që ka ndodhur në disa cikle zgjedhore presidenciale në rrethin e dytë”, thotë Nesimi. (koha.mk)