Omer XHAFERI
Shkup, 27 dhjetor – Me gjoba të larta edhe këtë vit përballen prindërit, fëmijët e të cilëve luajnë me fishekzjarrë, shkruan gazeta KOHA. Gjoba, e cila mund të rritet deri në 800 euro, si dhe rreziqet që sjellin duart e gabuara, megjithatë sikur nuk është arsye e mjaftueshme për uljen e përdorimit të mjeteve piroteknike, të cilat zakonisht në prag të festave të fundvitit i shqetësojnë qytetarët. “Fishekzjarrët” e famshme i ke në rrugë dhe udhëkryqe dhe nëpër tregje dhe të njëjtat kushtojnë 100 denarë për paketë, ndërsa i shesin edhe fëmijë në moshë të re. Mbi 150.000 njerëz në botë për çdo vit mbesin invalid për shkak të lojës me fishekzjarrë, nga të cilët 80 për qind janë fëmijë. “Qëllimi është t’ju tregojmë qytetarëve mbi rreziqet nga përdorimi i mjeteve piroteknike dhe pasojat e mundshme nga sjellja e papërgjegjshme, si dhe të promovojmë sjellje të mirë gjatë festave”, deklarojnë nga SPB Shkup. Mjekët paralajmërojnë se pjesa më e madhe e lëndimeve ndodhin kur fishekzjarrë shpërthen në duart e përdoruesit, në të shumtën e rasteve të mitur. Për fat të keq, tek disa ka efekte të gjata dhe mund të mbeten me invaliditet. Nga Spitali i qytetit në Shkup “Shën Naum Ohridski” së fundmi kanë konfirmuar se në një rast të fundit kanë punuar në amputimin e gishtave, gjegjësisht tek babai i cili është munduar të largojë fishekzjarrin nga duart e djalit të tij. Në qoftë se kjo nuk tingëllon frikshëm, qytetarët duhet të ngrenë zërin se blerja dhe aktivizimi i fishekzjarrëve apo mjeteve piroteknike në vende publike, në rrugë, në oborre, hyrjet e ndërtesave të banimit paraqet shkelje të ligjit për çka është paraparë gjobë prej 200 deri 500 euro. “Nëse bëhet furnizim dhe shpërndarje në treg, kjo paraqet vepër penale për të cilën është paraparë gjobë ose burgim deri në 3 vjet, ndërsa prindërit e personave të mitur të cilët nuk kanë mbushur 14 vjet patjetër e kanë të paguajnë prej 600 deri 800 euro nëse fëmijët e tyre luajnë me fishekzjarrë”, përkujtojnë nga policia. Edhe pse kontrollet janë më shpeshta në prag të festave të fundvitit, të famshmet “fishekzjarrë”, raketa ndriçuese dhe mjete të tjera piroteknike mund të sigurohen pa problem nëpër tregje. Më së shumti ka rreth Bit Pazarit, ku shiten nëpër tezga dhe “në dorë” prej fëmijëve të cilët shëtisin kutitë me fishekzjarrë. “Njëqind denarë – njëqind copë”, është oferta e tyre. Bëhet fjalë për mjete piroteknike të kontrabanduara, të cilat janë kryesisht me origjinë kineze. Ata kryesisht transportohen nga Bullgaria dhe Kosova. Mjetet piroteknike të cilët shiten në rrugë, tregje, kryesisht nuk janë të kontrolluara dhe cilësia është e diskutueshme, prandaj edhe lëndimet janë të shpeshta.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.