Shkup, 24 nëntor – Për dallim nga viti i kaluar kur në rajonin e Pollogut në vend të punës e kanë humbur jetën disa persona, në nëntë muajt e kaluar nga fatkeqësia në vend pune e ka humbur jetën një person, ndërsa shumë tjerë kanë mbetur të lënduar. Prapë se pra edhe kjo statistikë është e regjistruar si e zezë në Sektorin e Punëve të Brendshme të Tetovës, njofton Koha.
‘’SPB Tetovë në vazhdimësi apelon, sidomos tek punëtorët e ndërtimtarisë të cilët punojnë në ambient të hapur dhe të lartë në objekte të ndryshme, të jenë maksimalisht të kujdesshëm, si oxhakfshirësit të cilët këto ditë janë shumë të angazhuar, pastaj punëtorët nëpër ndërtesa… ata dhe gjithë të tjerët e kanë patjetër të posedojnë pajisje mbrojtëse kualitative, derisa ata që punojnë me pajisje elektrike dhe makina tjera duhet të jenë mjaftueshëm të trajnuar dhe profesionalizuar në atë drejtim”, deklaron Marijan Josifovski, zëdhënës në SPB- Tetovë.
Nga Qendra për shëndet dhe siguri gjatë punës – Tetovë, thonë se çdo person juridik, përkatësisht firmë, është e obliguar ta siguroj dhe mbrojë punëtorin në vendin e punës në bazë të gjitha gjërave që parasheh ligji.
Lista për mbrojte është e gjatë, ndërsa jeta e njerëzve është më e rëndësishmja. Nga ana tjetër secila firmë më shumë llogari ka ti plotësojë kushtet për siguri shëndetësor dhe siguri gjatë punës, sesa të paguaj dënime ekstreme në rast të ndonjë kontrolle të inspektorëve.
“Duhet të ketë kontrolle të rregullta sistematike të të punësuarve. Duhet ndonjë i punësuar të trajnohet kundër zjarreve. Të kontrollohen vazhdimisht pajisjet e punës, të përgatitet plan për evakuim etj. Gjitha këto obligime, për shembur për një firmë që numëron 30 të punësuar mund ti sigurojë prej një çmimi prej 500 euro, ndërsa nëse nuk i bën dhe inspeksioni mbikëqyrës vërteton se nuk i posedon firma dokumentet e sigurisë dhe mbrojtjes në punë të punëtorëve, atëherë punëdhënësi është i obliguar të paguaj dhjetëra mijëra euro” , thotë Pançe Tërpkovski, nga Qendra për shëndet dhe siguri në punë.
Por punëtorët nuk i din të drejtat e tyre, thonë nga kjo qendër.
Të dhënat të cilat i posedon Shoqata Maqedonase për mbrojtje gjatë punës për vitin 2016, thonë se në Maqedoni vitin e kaluar kanë ndodhur 94 fatkeqësi në punë, prej të cilave 19 kanë qenë fatale (me vdekje). E lartë është shkalla e të lënduarve në punë, përkatësisht, në çdo 100.000 të punësuar vjet janë lënduar 13 punëtorë në vend pune.