Shkup, 16 dhjetor – Firmat në Maqedoni në mesatare presin nga 120 ditë për t’u paguar borxhet e tyre. Sipas raportit për stabilitet financiar të Bankës Popullore të Maqedonisë, kjo mesatare rritet në 234 ditë kur bëhet fjalë për firmat që punojnë me humbje, ndërsa ulet në 107 ditë sa presin firmat e suksesshme. Këto janë ndër afatet më të gjata të pagesës së detyrimeve në Evropë, tregojnë analizat e kompanisë suedeze Inrum, që për çdo vit e përgatit indeksin evropian të pagesave. Sipas tij, më pak të disiplinuara dhe me vonesa prej 80 ditë janë kompanitë italiane, ndërsa në Portugali dhe Spanjë, në mesatare pritet nga 69 ditë për pagesat e borxheve. Nga shtetet e rajonit, shkruan gazeta KOHA, renditje më të dobët shënon Greqia me 63 ditë, Kroacia me 51 ditë, Sllovenia me 42 ditë dhe Bullgaria me 36 ditë. Nga ana tjetër, në BE ekzistojnë dy ekstreme të pagesave të gjata lidhur me pagesat e sektorit publik, ku nga njëra anë kryeson Italia me probleme të shumta ekonomike me 131 ditë dhe nga ana tjetër kemi ekonominë më të fuqishme në Evropë, Gjermaninë që ka vonesa prej vetëm 15 ditë të pagesës së borxheve. Nga Odat Ekonomike, thonë se vonesat e pagesave në Maqedoni për biznesin bile janë edhe më të gjata se katër muaj. “Pas kësaj krize gati dyvjeçare të krizës politike që mjaft dëmtoi biznesin, gjendja me pagesat e detyrimeve të ndryshme, kurrë nuk ka qenë më e keqe. Si rrjedhojë e kësaj, biznesi është i lodhur, një pjesë e madhe e kompanive prodhojnë më pak, ju zvogëlohen kërkesat në tregjet e jashtme dhe kemi ulje të konsumit”, thotë kryetari i Odës Ekonomike të qytetit të Shkupit, Goran Rafajllovski. Problemin me vonesat e pagesave të sektorit publik ndaj sektorit privat dhe mosrespektimin e Ligjit për disiplinë financiare, e tregoi edhe anketa e fundit e Odës Ekonomike të Maqedonisë, e realizuar në muajin gusht. Sipas saj, 40 për qind e kompanive theksojnë se afati i pagesës është shumë më i gjatë se obligimi i pagesës. Kjo, sidomos vlen për kompanitë që japin shërbime në sektorin publik. Afaristët thonë se kompanitë private e kanë patjetër që të paguajnë me kohë borxhet e ndryshme ndaj shtetit dhe kompanive në pronësi shtetërore, për dallim prej këtyre të fundit që shpesh vonojnë pagesat ndaj bizneseve. Ky problem është mjaft i theksuar në praktikë, edhe përkundër Ligjit për disiplinë financiare që përcakton afatin e pagesës së borxheve prej 60 ditësh ndërmjet kompanive të sektorit privat, ndërsa me përjashtime afati mund të jetë edhe 120 ditë. Nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë, thonë se kompanitë në Maqedoni për vite me radhë kanë problem me mungesën e parave të gatshme apo jolikuiditetin, që vështirësohet në mënyrë shtesë me sektorin publik që në një pjesë të madhe vonon pagesat e furnizimeve publike. Sipas tyre, nëse shteti si punëdhënësi më i madh, nuk i paguan shërbimet publike, atëherë kjo krijon problem si për kompanitë që marrin pjesë në furnizimet publike dhe pastaj edhe në zinxhirin e pagesave, edhe për të tjerët që janë partner të tyre afarist. Problem tjetër i jolikuditetit është edhe kapitali i vogël me të cilin disponon biznesi vendor, që në një pjesë të madhe e siguron përmes kredive ose përmes furnizuesve me pagesë të anuluar të repromaterialeve që në mënyrë shtesë e rrit jolikuiditetin. Në ndërkohë, biznesi vendor në shtatë vitet e kaluara tregon përkeqësim të madh të problemeve financiare dhe mungesës së parave të gatshme për qarkullim. Në periudhën e kaluara borxhet e mëdha si dhe jo-likuiditeti kanë qenë dy problemet kryesore të funksionimit në praktikë të afaristëve në Maqedoni. Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, në fund të muajit maj të këtij viti kanë qenë të bllokuara llogaritë e 43.498 firmave, ndërsa në muajin maj të vitit 2009 kanë qenë të bllokuara 14.504 firma. Kjo do të thotë se në shtatë vitet e kaluara është rritur për tre herë numri i firmave me llogari të mbyllura për shkak të borxhit ndaj bankave, shtetit, afaristëve të tjerë apo ndërmarrjeve publike. Vonesa e pagesave ka ndikuar edhe në uljen e fitimit dhe punën me vështirësi për të mbijetuar në treg për gati gjysmën e bizneseve në vend. Sipas raportit të Bankës Popullore të Maqedonisë kushtuar stabilitetin financiar në Maqedoni për vitin 2015, më shumë se 37 për qind e numrit të përgjithshëm të subjekteve në sektorin korporativ kanë treguar humbje. Me fjalë të tjera një pjesë e madhe e biznesit sërish ballafaqohet me dobësinë e vjetër të vonesës së pagesës së obligimeve, që vjen si rrjedhojë e pozitës së rëndë së subjekteve ekonomike që ballafaqohen me problemet e likuiditetit për shkak të vështirësive me pagesën e kërkesave të tyre. (F.P)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.