Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 prill – Në Maqedoni shtatë vitet e fundit vazhdimisht rritet numri i kompanive të regjistruara që nuk kanë asnjë të punësuar, por që realizojnë me miliona euro qarkullim dhe fitim në vit, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Entit të statistikës , numri më i madh i bizneseve pa asnjë punëtor të angazhuar, me përjashtim të menaxherit apo drejtuesit të jashtëm , ka qenë më i lartë në vitin 2010, kur në krejt shtetin janë regjistruar 10.756 kompani pa asnjë të punësuar, ndërsa më i vogël ka qenë në vitin 2013 kur janë regjistruar 4415 biznese pa asnjë punëtor. Në periudhën kohore 2009-2016 numri i firmave aktive në Maqedoni ka lëvizur prej 70 deri 75 mijë, ndërsa për çdo vjet është shënuar përqindje e lartë e bizneseve pa të punësuar. Vetëm në vitin e kaluar më shumë se dhjetë për qind nga firmat aktive, apo 8057 biznese aktive nga totali i 71.519 bizneseve, kanë qenë pa asnjë të punësuar. Në vitin 2016, pjesa më e madhe apo afër 2000 biznese pa punëtorë kanë qenë në sektorin e tregtisë, 605 biznese ka pasur në industrinë përpunuese, nga 400 në ndërtimtari, transport dhe hoteleri, ndërsa 721 biznese pa asnjë të punësuar kanë funksionuar në sferën e administrative dhe shërbyese.
Ligjet në Maqedoni, përcjell KOHA, por edhe në shtetet e rajonit, madje lejojnë që edhe kompanitë e prodhimit apo të ndërtimit të mund të themelohen dhe funksionojnë pa asnjë të punësuar, dhe në bazë të kësaj të mos paguajnë asnjë denar për tatime apo kontribute në fondet shtetërore dhe arkën e shtetit. Megjithatë, formimi i firmave pa asnjë të punësuar është në përputhshmëri me legjislacionin vendor. Sipas Ligjit për shoqëri tregtare dhe ligjet e tjera që e rregullojnë punën e firmave në Maqedoni, nuk ekziston asnjë obligim që firma e themeluar patjetër të ketë të punësuar, me përjashtim të menaxherit që duhet ta përfaqësojë biznesin para organeve të shtetit.
Shembuj të këtillë në praktikë ekzistojnë edhe në shtetet fqinje. Këtë vit, kompania publike “Ambienti” në Ferizaj, megjithëse nuk ka të punësuar asnjë punëtor fizik, ka përfituar nga komuna dy tenderë në vlerë prej 45 mijë eurosh për mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese, parkingjeve dhe deponive. Raste edhe më drastike shënohen në Serbi ku gati çdo i treti biznes funksionon pa asnjë të punësuar. Vetëm në vitin e kaluar në shtetin fqinj afër 27 mijë biznese kanë qarkulluar me miliarda euro, pa angazhuar asnjë punëtor. Në Serbi kompanitë e mëdha e ndajnë biznesin në kompani tjetër për konsultime, projektime apo dhënie me qira të hapësirave afariste, ndërsa për këto punë angazhojnë ekspertë me kontratë në vepër për çka ai i paguan shtetit tatim. Përvoja të ngjashme të praktikumit të biznesit, përdoren edhe në Maqedoni nga firmat vendore, me qëllim të ikjes së harxhimeve të panevojshme për pagesën e punëtorëve.
Nga ana tjetër, në Kroaci afër 18 mijë firma punojnë pa asnjë të punësuar, që është gati një e katërta e bizneseve të regjistruara, duke qarkulluar mbi një miliardë euro dhe duke shënuar fitim prej mbi 300 milionë euro. Në Maqedoni, kompanitë pas asnjë të punësuar në vitin 2014 kanë qarkulluar 273 milionë euro dhe kanë shënuar fitim prej afër 19 milionë euro.
Analistët ekonomik thonë se shpesh biznese të tilla formohen që të shfrytëzohen volitshmëritë e ndryshme, sidomos në sistemin e furnizimeve publike, duke përdorur firma që i kontraktojnë për punë të caktuara dhe duke shtuar se nëse ligjet e lejojnë një gjë të tillë, atëherë ato janë legale dhe punojnë legalisht. Ekonomistët thonë se ekzistojnë mundësi të ndryshme të funksionimit të kompanive në një ekonomi tregu, por kryesorja është që këto kompani të respektojnë ligjet gjatë punës së tyre të përditshme. Por, ka edhe mendime se për një ekonomi të shëndoshë është brengosës numri relativisht i lartë i tyre në periudhën e kaluar gati dhjetëvjeçare, për shkak se ato pak kontribuojnë për biznesin vendor. “Puna e kompanive të tilla paraqet edhe një lloj konkurrence jolojale për kompanitë e tjera, për shkak se këto kompani nuk angazhojnë punëtorë, përkundër asaj se një gjë e tillë lejohet me ligj. Puna e tyre në suaza afatgjate krijon konkurrencë të madhe për të gjitha kompanitë e regjistruara si dhe ndikon në kushtet jo të barabarta në treg të bizneseve të ndryshme”, thotë kryetari Konfederatës së biznesit, Mile Boshkov.
Ekonomistët vlerësojnë se nëse kompanitë kanë qarkullim prej 100 deri 200 mijë euro për një të punësuar, atëherë nevojitet të ketë edhe të punësuar për këtë shumë të të hollave që janë qarkulluar, me qëllim që ekonomia vendore të ketë më shumë fitim prej kompanive të tilla. Madje ekspertët ekonomik shtojnë se nëse 8000 firmat aktive pa asnjë të punësuar do të obligoheshin me ligj që të angazhojnë së paku një të punësuar, kjo do të nënkuptonte edhe 8000 punësime të reja.
NUMRI I FIRMAVE PA TË PUNËSUAR NDËR VITE
Në vitin 2016 nga 71.519 firma aktive, 8057 pa të punësuar
Në vitin 2015 nga 70.139 firma aktive, 7329 pa të punësuar
Në vitin 2014 nga 70.659 firma aktive, 3972 pa të punësuar
Në vitin 2013 nga 71.290 firma aktive, 4415 pa të punësuar
Në vitin 2012 nga 74.424 firma aktive, 7158 pa të punësuar
Në vitin 2011 nga 73.118 firma aktive, 6674 pa të punësuar
Në vitin 2010 nga 75.497 firma aktive, 10.756 pa të punësuar
Në vitin 2009 nga 70.710 firma aktive , 6243 pa të punësuar
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara