Prej muajsh është përfolur se Bashkim Fino do të jetë një prej kandidatëve zyrtare në zgjedhjet e ardhshme për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Për gazetën “Panorama Sport”, ish-kryeministri foli në periudhën kur vetë presidenti Armand Duka e lakoi emrin e tij duke u përgjigjur për këtë gjë. Në fjalën e tij për gazetën, deputeti socialist e la të hapur mundësinë e kandidimit, duke mos e mohuar diçka të tillë.
Tashmë që është caktuar edhe data e zgjedhjeve, Fino pritet që ta deklarojë zyrtarisht kandidaturën e tij për postin e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit. Diçka e tillë pritet që të ndodhë të enjten, në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSh”. Deputeti i Partisë Socialiste pritet që të bëjë publik qëndrimin e tij në garën për postin e kreut të FSHF-së, si dhe platformën me të cilën do të futet në garë.
Së fundmi, Fino është parë më shpesh në shkallët e stadiumeve, për të ndjekur ndeshjet e futbollit. Edhe në të shkuarën, ish-kryeministri është parë shpesh i lidhur me sportin dhe mbështetjen e skuadrave që ai i simpatizon. Pritet që qoftë edhe për formalitet dhe procedurë, Fino të propozohet nga të paktën një prej anëtarëve me të drejtë vote në FSHF.
Kujtojmë, në krye të Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka është nga viti 2002, ndërsa në vitin 2014 është rizgjedhur president i FSHF-së, duke mos pasur asnjë kundërkandidat. Për Dukën, ky ishte kandidimi i katërt për një mandat në shtëpinë e futbollit të Shqipërisë.