Finlandezët, mjeshtrit e luftës kundër koronavirusit

57

Finlanda me diç më pak se 6 milionë banorë është njëra prej vendeve që ka kaluar më së miri me pandeminë e koronavirusit. Sipas të dhënave të universitetit “Johns Hopkins”, nga 22 nëntori, asnjë vend tjetër në botë nuk ka shkallë më të ulët të infektimeve

Që nga fillimi i vitit, në Finlandë janë regjistruar 21.216 raste të të infektuarve dhe 375 të vdekur. Ndërkaq në Danimarkën fqinje, shkalla e infeksioneve ka shkuar në 70.152 derisa ajo e vdekjeve në 781. Sllovakia, ndërkaq, ka 95.257 të infektuar dhe 644 të vdekur. Këto të dhëna paraqesin një pasqyrë të strategjisë së Finlandës me pandeminë COVID-19 dhe ofron një pikëpamje mbi mentalitetin vendor që i ka kontribuar luftës së suksesshme me sëmundjen.

Shkencëtarët finlandezë kanë pretenduar, sipas Deutsche Welles, se vendi ka gjithashtu edhe qen, të cilët në mënyrë të shpejtë dhe fare të pakushtueshme mund ta nuhasin COVID-19. Por, aktualisht shkathtësitë e këtyre qenve përdoren pak për kontrollimin e pandemisë. Ndërkaq, janë disa teori që po konsiderohen si ilaçi i suksesit të vendit me sëmundjen.

REAGIMI I SHPEJTË

Kur kudo nëpër botë kishte filluar të rritet shifra e personave të infektuar, Qeveria në Finlandë ka reaguar shpejt dhe ka zbatuar izolimin e tërësishëm dymujor të vendit. Udhëtimet në rajonet e afërta kësisoj u bënë tërësisht të ndalueshme. Pos kësaj, vendi mbylli edhe shkollat dhe institucionet e tjera, ndërsa më vonë edhe restorantet. Një gjë e tillë ndodhi relativisht herët, teksa bilanci i të infektuarve në këtë shtet skandinav ishte ende i ulët. “Finlanda ka ndaluar tepër shpejt dhe me shumë kujdes jetën publike, pra rreth dy javë para Norvegjisë dhe Danimarkës fqinje, e Suedinë as mos ta përmendim”, ka thënë për DW-në Mika Salminen, drejtor i Shërbimit finlandez të Shëndetësisë THL. Kësisoj, izolimi i tërësishëm e ndali shumë shpejt përhapjen e virusit.

PRANIMI I KORONA-APLIKACIONIT

Finlanda ka ngulmuar në gjurmimin e shpejtë të kontakteve, pra identifikimin e personave që kanë qenë në kontakt me individët e infektuar me virusin korona. Në këtë iniciativë, shërbimet shëndetësore janë mbështetur edhe në përdorimin e një aplikacioni të gjurmimit të kontakteve. Aplikacionin “Corona flash”, të instaluar në telefonat e mençur tanimë e ka çdo i dyti finlandez. Për dallim prej kësaj, “aplikacionet e koronavirusit” në Gjermani i kanë shkarkuar 22 milionë banorë, që do të thotë një e katërta e gjithë popullatës. Tek individë të caktuar, problem përbën vjetërsia e modelit të telefonit, teksa tek disa të tjerë fakti se i druajnë keqpërdorimit të të dhënave private.

BESIMI, ÇELËSI!

Në Finlandë, qytetarët kanë besim relativisht të lartë në Qeverinë. Edhe gjatë izolimit në pranverën e këtij viti, pothuajse nuk ka pasur fare rezistencë nga qytetarët. Sipas anketave të kryera gjatë asaj kohe nga Parlamenti Evropian, 73 për qind e qytetarëve kishin deklaruar se po ia dalin mirë në krye me kufizimet. “Po përpiqemi që t’i përmbahemi tërësisht asaj që na përcakton Qeveria. Mendoj se kjo ka të bëjë edhe me shtetin tonë social”, ka thënë politikania finlandeze e të Gjelbërve, Roza Merileninen. Ka të ngjarë se gjendja e mirë ekonomike ka pasur gjithashtu një kontribut në të gjithë këtë. Derisa prodhimi ekonomik në nivel të Bashkimit Evropian, gjatë çerekut të dytë të 2020-s kishte rënë për 14 për qind, në Finlandë rënia ka qenë 6.4 për qind. Në këtë aspekt, vendi ende qëndron më mirë se pjesa tjetër e Evropës.

PËRPARËSIA TEKNOLOGJIKE

Kapërcimi në punën nga shtëpia dhe mësimin online, në këtë shtet dukshëm të digjitalizuar nuk ka paraqitur ndonjë problem të madh, duke e pasur parasysh se pothuajse të gjithë nxënësit finlandezë posedojnë nga një laptop. Për dallim prej këtij vendi, në Gjermani nga një laptop kanë çdo 68 nxënës. Mësimi online është pothuajse i pamundur për familjet e varfra, dhe ka të ngjarë se kjo gjë ka ndikuar në krijimin e një mjedisi jo të favorshëm për politikat e koronavirusit.

NUK KA KREMTE! NUK KA PROBLEME!

Sipas një ankete të Parlamentit Evropian, 23 për qind e finlandezëve kanë deklaruar se gjatë izolimit në vjeshtë jeta e tyre është përmirësuar. “Nuk jemi veçanërisht shumë socialë dhe na pëlqen kur jemi të vetmuar”, ka thënë psikologia, Neli Hankonen, nga Universiteti i Helsinkit. Në këtë aspekt, një rol të caktuar mund të luante edhe zona e konforit personal, apo fakti se sa parapëlqeni të jeni në afërsi me persona të tjerë. “Mund të ndodhë që zona e konforit personal te finlandezët është diç më e lartë, sesa te popujt e shteteve të tjera evropiane”, ka thënë Mika Salminen. “Ne me shumë qejf qëndrojmë mbi një metër larg prej personave të tjerë, ngase ndryshe nuk ndihemi rehat”. (DW)