Luksemburg, 15 tetor – Pas raundit të parë të bisedimeve midis vendeve anëtare të BE-së për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, presidenca finlandeze e vendosi zyrtarisht në tavolinë ndarjen e procesit aderues të të dy vendeve, mëson MIA nga burime diplomatike në Luksemburg, përcjellë KOHA.
Këtë informacion për MIA-n e konfirmuan tre vende anëtare të BE-së, por burime diplomatike franceze konfirmuan se “pothuajse nuk ka mundësi” që Franca ta pranojë këtë propozim. Pas raundit të parë të bisedimeve, i cili filloi rreth orës njëmbëdhjetë, secila prej vendeve anëtare të BE-së i prezantoi qëndrimet e veta, pa asnjë ndryshim lidhur me ditët paraprake.
Franca e kundërshton fort fillimin e negociatave me cilindo vend, ndërsa disa vende anëtare kanë “problem më të madh me Shqipërinë”, se sa me Maqedoninë e Veriut. Që të tejkalohet ky qorrsokak, presidenca finlandeze para fillimit të pushimit për drekën ofroi që këto dy vende të ndahen. Delegatët tani kanë rreth një orë që të mendojnë dhe të përgatisin pozicionet e tyre, kur të fillojë raundi i dytë i bisedimeve.
Parashtrohet pyetja nëse Franca do të izolohet në kundërshtimin e fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut ose nëse Holanda do ta përkrahë. Burime diplomatike në Luksemburg për MIA-n konfirmojnë se ka dallime midis ministrit holandez të Punëve të Jashtme, Stef Bllok dhe kryeministrit të Holandës, Mark Rute, për këtë çështje, njëri është për ndarje ndërsa tjetri jo.
Do të duhet që të sqarohet pozicioni i Holandës, si dhe i vendeve të tjera pasi do të shqyrtohet propozimi i ri finlandez, por sipas burimeve diplomatike, ekziston disponimi që madje edhe Italia dhe Greqia të pranojnë veçimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga procesi i aderimit. Bullgaria u tregua më e ngurtë rreth mundësisë për ndarje dhe pritet që të kërkojë imponimin e kushteve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, nëse kjo ndodh. (koha.mk)