Laura PAPRANIKU
Shkup, 16 shkurt – Me shumë autonomi institucionale dhe më tepër liri akademike është njëra prej kërkesave të artikuluar nga përfaqësues të shumtë të branshit akademik. Edhe pse Propozim-ligji për arsim të lartë, i cili vazhdon të jetë në debat publik, ua kthen në masë të konsiderueshme universiteteve autonominë e suprimuar në vitin 2015, prapë se prapë universitetet konsiderojnë se duhet të kenë më tepër autonomi sa u përket programeve studimore apo ndryshimeve në kurrikulat e atyre programeve, shkruan gazeta KOHA.
Por jo më pak diskutabile për ta është edhe çështja që lidhet me modelin e financimit, si dhe me mënyrat e avancimit të profesorëve nga njëra anë dhe në anën tjetër – emërimit të anëtarëve të këshillave të ndryshme. Të paktën në këta tre tematika mund të grupohen të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet që ka Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup lidhur me këtë Propozim-ligjin. Të njëjtat, UNT ia ka adresuar Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës ditë më parë, pasi propozimet ishin analizuar dhe shqyrtuar në nivel të stafit akademik. Rektori Azis Pollozhani tregon për KOHA se vërejtjet e UNT-së konsistojnë kryesisht në tre grupe dhe që kanë të bëjnë me çështjet e autonomisë, financimit dhe standardizimit të kritereve për mënyrën e marrjes së thirrjeve shkencore.
“Grupi i parë i vërejtjeve tona ka të bëjë me kërkesën për autonominë më të madhe të universiteteve. Qëllimi është që të mund të ndryshojmë më shpesh kurrikulat, varësisht nevojave të dhe tregut. Nuk mundet që në çdo pesë vjet të mos ndryshojë asnjë lëndë në programin e akredituar studimor në kohën kur tregu i punës kërkon më shumë fleksibilitet, i cili imponohet nga nevoja e reja që nxjerr tregu vazhdimisht”, pohon ai. Me Propozimet për ligjin e ri të arsimit të lartë, akreditimet e programeve studimore ofrohen të bëhen në çdo pesë vjet dhe e parë nga këndvështrimi i nevojave që kanë universitetet për përshtatje me kërkesat e tregut, modeli i ofruar duket tepër statik, apo siç shprehet Pollozhani, “nëse këtë duhet ta bëjmë vetëm një herë në pesë vjet, akreditimet nuk i shërbejnë as përshtatjes së universiteteve dhe as studentëve”. Lidhur me modelin e financimit e që sipas Propozim-ligjit në fjalë, universitetet duhet të sigurojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit nga të ardhurat vetanake, respektivisht nga pagesat e studentëve, bazuar në vërejtët e UNT-së, kjo formulë do ti vendos universitete në pozita vunerable. Prandaj, kur janë në pyetje universitetet publike, rrogat e profesorëve duhet të sigurohen tërësisht nga shteti.
“Kur financimi i universiteteve dhe të ardhurat e profesorëve lidhen kryesisht me të ardhurat që grumbullohen nga pagesat e studentëve, atëherë universitetet vihen në pozita vunerable karshi studentëve dhe cilësisë së arsimit. Me fjalë të tjera, krijohet një vegës e cila e dëmton cilësinë”, sqaron rektori i këtij universiteti. Pollozhani është i mendimit se duhet të rishqyrtohet mirë çështja që ka të bëjë me mënyrën e financimit të universiteteve, aq më tepër që në Maqedoni ka kategori të ndryshme të universiteteve. Me disa korrigjime në nenet që rregullojnë këtë çështje, rektori i UNT-së është i mendimit se mund të vihet deri në një model më të pranueshme për të gjithë. Në këtë pikë, nga UNT kërkojnë që të korrigjohet konvertimi i kredive të studimit në të holla. Konkretisht, kërkojnë që ky konvertim të mos jetë i njëjtë për të gjitha drejtimet studimore. Sepse, sikurse sqaron Pollozhani, nuk është korrekte që kreditë të vlerësohen njëlloj, pra të kenë të njëjtin çmim si ato të fakulteteve të shkencave teknike apo mjekësore me kreditë që marrin studentët në fakultetet e shkencave shoqërore. Grupi i tretë i vërejtjeve ka të bëjë me standardizimin e mësimdhënies në universitete, apo kriteret e avancimit.
UNIVERSITETET SHQIPTARE DORËZOJNË ANKESAT
Sikurse i kemi prezantuar javë në parë, vërejtjet e tyre i kanë dërguar në MASH edhe Universiteti i Tetovës (UT) dhe Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL). Nga UT kanë kërkuar që të definohet qartë formula e financimit të universiteteve sipas modeleve që mbështeten në numrin e studentëve, ndërsa nga UEJL kërkojnë të nënvizohet statusi i tyre “publik-privat jofitimprurës”. Ata kërkojnë gjithashtu rishqyrtimin e koncepteve të akreditimeve si dhe rishikimin e balancave midis organeve administrative, drejtuese dhe profesionale në institucionet e arsimit të lartë, në kuptim të kompetencave dhe llogaridhënies. Vetëm kështu, sipas UEJL-së, mund të sigurohet niveli adekuat i funksionalitetit, transparencës dhe përgjegjësive të qarta. Nga UT kërkojnë në mënyrë të veçantë modelin e financimit të universiteteve nga ana e shtetit duke përdorë numrin e studentëve si kriter bazë. (koha.mk)