Partitë politike duhet të jenë transparente, jo vetëm në aspektin e financimit të tyre, por gjithashtu duhet të forcojnë kontrollet e tyre të brendshme politike. Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Financimin e Partive Politike, lejon që partitë politike të përdorin më shumë fonde buxhetore nga shteti. Tani pothuajse është dyfishuar, nga 0.6 në 0.15 për qind.
Remzije BILALLI
Shkup, 16 nëntor – Të zvogëlohen donacionet nga personat fizik dhe juridik, ndërsa të shtohen mjetet nga buxheti ishte propozim për ndryshimet në Ligjin për financimin e partive politike. Argumentet që mbështesin financimin publik të partive politike janë se kjo mënyrë e punës do të nxisë nivel më të lartë të demokracisë dhe se mjete e buxhetit shtetëror ulin mundësinë për shantazhim dhe korrupsion, ndërsa transparenca rreth financimit të partive politike mbetet ende një prej ngecjeve të vazhdueshme të Maqedonisë.Deri më tani në të gjitha raportet e Entit shtetëror për revizion (ESHR) kishte parregullsi në mënyrën e financimit të partive politike dhe për këtë nuk barte askush përgjegjësi. BE është e gatshme të mbështesë të gjitha përpjekjet në këtë fushë, tha ambasadori i BE Samuel Zhbogar në një tryezë të rrumbullakët mbi financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore të organizuar nga Zyra Shtetërore e Revizionit të Republikës së Maqedonisë. Ambasadori i BE-së theksoi se financimi i partive politike dhe fushatave konsiderohet aktivitet publik me rrezik të lartë korrupsioni. Ky është një rast që konfirmohet në demokracitë e reja, në ato në tranzicion dhe në demokracitë e pjekura.
“Partitë politike shume herë janë instrument i donatorëve të ndryshëm dhe përfaqësojnë interesat e tyre në vend të interesave të qytetarëve, ndërsa pasojat janë të dukshme. Demokracia dhe qeverisja e mirë janë dëmtuar dhe më e rëndësishmja besimi i publikut tek politikanët dhe proceset demokratike po zvogëlohet. Partitë politike tani duhet të dorëzojnë raporte financiare për llogaritë e tyre dhe kjo është e rëndësishme për transparencë”, tha Zhbogar.
Ai theksoi kontributin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike, duke lejuar kështu partitë politike të përdorin më shumë fonde buxhetore nga shteti. Tani pothuajse është dyfishuar, nga 0.6 në 0.15 për qind.
Kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, theksoi se financimi i partive politike është çështje e cila i prek edhe shtete demokratike lart të zhvilluara, për arsye se edhe ata nuk janë imun ndaj mundësisë për keqpërdorimin e mjeteve shtetërore dhe burimeve tjera, prandaj i nënshtrohen kontrollit të vazhdueshëm nga institucionet e auditimit që gëzojnë besim dhe reputacion të madh në botë dhe në vendin tonë.
Kryetar i Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ) Oliver Derkoski, theksoi mendimet janë të ndryshme nëse këto ndryshime janë të mira apo jo, sepse kur marrim më shumë para partitë politike duhet të jenë më transparent në shpenzimin e parave, ndërkaq organet si ESHR do të munden në mënyrë më transparente dhe të besueshme ti kontrollojnë raportet.
Goran Milevskin nga Partia Liberale Demokratike tha se ligji i parë mbi ndryshimet e partive politike ishte iniciuar pikërisht nga deputetët e kësaj partie. Sipas tij me këto ndryshime do të përmirësohet kjo gjendje sepse partitë politike nuk do të varen nga sektori privat të cilët më pas kërkojnë shkëmbime për shërbimin e bërë.
“Ne ishim të pabarabartë me partitë e mëdha sepse privilegj kishin vetëm ata, ndërsa interesimi i kapitalit privat ishte i ulët ndaj partive të vogla. Tani këto dallime do të kalohen, besoj që të gjithë do të jemi të barabartë”, shtoi Milevski.
Ndërkaq, Cvetin Cvetkov, kryetar i Revizionit të Bullgarisë, tha se në Bullgari ekziston ligj i veçantë për partitë politike në të cilin detajisht rregullohen jo vetëm financat por edhe shpenzimet si dhe nga kush mund të marrin mjete financiare dhe cila është shuma maksimale. Siç theksoi edhe Cvetov partitë marrin para nga buxheti dhe kjo përcaktohet në bazë të asaj se sa vota kanë marrë ato në zgjedhjet e fundit.