Ajo që e dallon këtë program nga ai i viteve të kaluara është jo vetëm shuma e përgjithshme e financimit të aktiviteteve dhe programeve kulturore dhe transparenca ndaj opinionit, por edhe totali që këtë vit ndahet për projektet që lidhen me kulturën shqiptare, sidomos në disa veprimtari kulturore – Manifestime, Art figurativ, Bashkëpunim ndërkombëtar, Muzikë, Folklor, apo Botime
Evis HALILI
Shkup, 11 prill – Projektet e para të Programi vjetor të Ministrisë së Kulturës kanë filluar të realizohen, edhe pse lista finale pritet të pësojë ndryshime pas verifikimit të ankesave gjatë kësaj periudhe, shkruan gazeta KOHA. Ajo që e dallon këtë program nga ai i viteve të kaluara është jo vetëm shuma e përgjithshme e financimit të aktiviteteve dhe programeve kulturore, por edhe transparenca ndaj opinionit, me publikimin e projekteve fituese dhe shumave të ndara për realizimin e tyre.
Nga kjo rritje e buxhetit, kanë përfituar edhe projektet që zhvillohen në kuadër të kulturës shqiptare, institucionet, shoqatat, e aktorë të tjerë të kulturës, sidomos në disa veprimtari kulturore, si Manifestime, Art figurativ, Bashkëpunim ndërkombëtar, Muzikë, Folklor, apo Botime. Nëse i referohemi Programit vjetor të vitit 2017 dhe shumave të ndara vitin e kaluar, Manifestimet dhe Festivalet radhitet si sektori me përqindjen më të lartë të financimit (35 për qind), rreth 9 milionë denarë për 11 projekte, por edhe numrin më të madh të tyre (në vitin 2017 janë ndarë 3.2 milionë denarë). Arti figurativ radhitet i dyti, jo vetëm për numrin dhe shumën thuajse të trefishuar për realzimin e projekteve, por edhe për ekspozita të rëndësishme. Projektet shqiptare në Artin figurativ do të financohen me mbi 5.5 milionë denarë (vitin e kaluar u ndanë mbi 1.4 milionë denarë).
Mes tyre mund të veçohet prezantimi i artistit Anri Sala (Shqipëri/Francë) në Muzeun e Artit Bashkëkohor më 18 prill, si pjesë një prej ngjarjeve më të rëndësishme për kulturën “All that we have in common”, ku marrin pjesë artistët më të spikatur nga bota. Ngjarje të tjera me peshë janë edhe ekspozita retrospektivë e Adem Kastratit, ekspozitë e Ibrahim Kodrës, si edhe koloni artistike, konferenca ndërkombëtare, e ngjarje të tjera.
Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe me Unesco, është një tjetër veprimtari në të cilën këtë vit projektet shqiptare kanë tejkaluar mbi dy herë shumat e akorduara një vit më parë, nga rreth 4 milionë denarë në 2017, në mbi 9.2 milionë denarë për këtë vit. Dallimin e bëjnë financimet për aktivitete të dy teatrove nacionalë, atë të Shkupit (mbi 1.1 milionë denarë), por edhe ato që vitin e kaluar nuk kanë qenë të financuara, si Teatri i Tetovës (mbi 1.4 milionë denarë), Galeria e Artit të Tetovës, Qendra e Kulturës në Dibër, e të tjera. Folklori është veprimtaria që do të mbështetet me mbi 6.3 milionë denarë (vjet u financua me mbi 3.1 milionë denarë).
Aktivitetet më të rëndësishme nga ky sektor janë Festivali Këngë Jeho (1 milionë denarë), Festivali Folklorik Skupi, 39 vjetori i ansamblit Ibe Palikuqi, Flaka e Janarit, e të tjera. Projektet në Muzikë këtë vit kanë marrë mbi 13,5 milionë denarë, thuajse dyfish më shumë sesa vitin e kaluar. Projektet kryesisht lidhen me manifestime në zhanre të ndryshme muzikore, muzikë klasike, xhaz, e lehtë, e të tjera, ku më shumë se gjysma e aktiviteteve janë performanca solistike, kryesisht koncerte. Veprimtaria e Botimeve është një tjetër pikë e Programit vjetor ku mbi 33 për qind e buxhetit i është akorduar botimeve në gjuhën shqipe. Këtë vit janë ndarë mbi 61 milionë denarë, për dallim nga viti i kaluar ku botimet shqiptare u financuan me mbi 49 milionë denarë, ose mbi 27 për qind nga buxheti i përgjithshëm. Në Programin e këtij viti figuron një veprimtari e re – Interdisiplinare, në të cilën numërohen tetë projekte shqiptare, të financuara me afro 3 milionë denarë.
Në Ministrinë e Kulturës ka filluar procesi i shqyrtimit të ankesave për të gjithë pjesëmarrësit në Konkursin vjetor. Pritet që lista finale me projektet që do të realizohen gjatë këtij viti do të ndryshojë me miratimin e disa projekteve të refuzuara, shumave të ndara për një pjesë, kryesisht për institucione, e të tjera. (koha.mk)
VITI 2017
Manifestime dhe Festivale 3.200.000 milionë denarë
Arti Figurativ 1.420.000 milionë denarë
Muzikë 6.160.000 milionë denarë
Folklor 3.180.000 milionë denarë
Botime 49.360.000 milionë denarë
VITI 2018
Manifestime dhe Festivale 8.900.000 milionë denarë
Folklor 6,360,000 milionë denarë
Muzikë 13.518.800 milionë denarë
Botime 61.303.000 milionë denarë
Arti Figurativ 5.515.000 milionë denarë