Ohër, 4 tetor – Financat publike janë transparente, borxhi publik është nën kontroll, ndërsa në procedurë janë edhe reforma për përparimin e sistemit financiar publik. Këtë e theksoi ministri i Financave Dragan Tevdovski në Konferencën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, duke folur për reformat në sistemin e financave publike. Ministri theksoi se financat publike tani janë në kondicion të mirë, por edhe se janë përgatitur masa për përmirësim të sistemit.
“Me Programin për reforma të financave publike janë paparaparë një varg masash për efikasitet dhe efektivitet më të madh të shpenzimeve publike, qëndrueshmëri e borxhit dhe transparencë më e madhe. Përmes ligjit të ri për buxhete, sistem të përmirësuar për furnizime publike, publikim të shpenzimeve të ueb platformës dhe masa të tjera, do të përmirësohet menaxhimi me financat publike. Me këtë do të sigurohet rritje ekonomike stabile dhe e qëndrueshme, e me këtë edhe standard më i mirë për qytetarët”, tha Tevdoski. Ministri i Financave theksoi se pas një kohe të gjatë borxhi publik është nën kontroll.
“Pas nëntë viteve kemi zvogëlim të borxhit publik në nivel vjetor. Borxhi është vendosur nën kontroll. Njëkohësisht kemi përmirësim nëse shihen kamatat dhe struktura. Dukshëm është zvogëluar shkalla e interesit të letrave shtetërore me vlerë. Kjo është rezultat i rritjes së besimit të investitorëve. Ky besim u shfaq edhe gjatë dhënies së eurobondit. Është arritur shkalla më e vogël e interesit në histori prej 2,75 për qind. Kjo është dyfish por edhe trefish më pak në krahasim me eurobondet e dhëna më parë”, tha Tevdovski dhe shtoi se është rritur edhe afati i dhënies së letrave shtetërore me vlerë, gjë që e bën borxhin të qëndrueshëm. Tevdovski theksoi edhe se rritja e transparencës iu jep qytetarëve kontroll ndaj shpenzimeve të parave shtetërore.
Ministri i Financave theksoi se një nga reformat kyçe bëhet në sistemin për furnizime publike. Me ligjin e ri është paraparë transparencë më e madhe në furnizimet publike, ndërsa do të merret parasysh oferta më e leverdishme ekonomike. Ligji është në pajtueshmëri me praktikat evropiane.