Azerbajxhani kishte shpresuar se finalja e Ligës së Evropës do të shënonte shfaqjen e vendit si një fuqi ndërkombëtare e futbollit – së paku jashtë fushës. Por e ka gjetur veten në një stuhi të reklamës së keqe.
Arsenali dhe Chelsea do të përballen të mërkurën në një vend që pak nga tifozët e skuadrave kanë qenë në gjendje të udhëtojnë, dhe ku njëri prej lojtarëve kryesorë të njërës skuadër u desh të mos udhëtonte për arsye politike, shkruan sot Koha Ditore.
Azerbajxhani nuk ka mungesë të ambicieve në futbollin botëror. Po ashtu, kishte kandiduar për të organizuar finalen e Ligës së Kampionëve, por humbi nga Madridi. Baku do të organizojë edhe katër ndeshje të Kampionatit Evropian të vitit të ardhshëm, përfshirë një çerekfinale, ku çështje të njëjta mund të hapen sërish.
Mungesa e Mkhitaryanit
Arsenali ka lënë mesfushorin Henrikh Mkhitaryan në shtëpi, në një rast të rrallë të politikës që mban një yll jashtë një finaleje të madhe.
Arsenali donte që Azerbajxhani të garantonte për sigurinë e Mkhitaryanit, diçka që Qeveria në Baku ka thënë se e ka bërë pas tensioneve mes Azerbajxhanit dhe vendit të lojtarit, Armenisë.