Me gjithë aktivitetet për “Vitin e Skënderbeut” pati dhe dështime institucionale: shfaqja kryesore teatrale mban vulën e vetiniciativës personale të aktorit Xhevat Limani, kurse filmi për Skënderbeun nuk u përmend diku as si ide, e lere më të ishte realizuar, edhe pse me dekada është folur!
Nga Daut DAUTI
Viti 2018 ishte një vit madhështor me shumë manifestime në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, tubime shkencore, akademi solemne, debate televizive, përpjekje për rishikime e rivlerësime në 550 – vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. U fol për të më shumë se asnjë vit tjetër, ndoshta më tepër se edhe në atë të 1968-tës, sepse atëherë e kemi shënuar ndaras 500-vjetorin. U lartësua gjer në qiell, siç i ka hije një “figure qëndrore” të një populli, por, pesë minutat e tyre i patën edhe disa “zhveshësh mitesh”, sa për të dëshmuar pluralizmin e mendimeve dhe diçka tjetër në prapavijë, se dushmanë Skënderbeu ka pasë që në kohë të tij, dhe që nuk kanë vdekur as sot…Kur jemi te aktivistet, ne në Maqedoni vitin e Skënderbeut e filluam me një hapërim madhështor politik e civilizues: akademinë solemne kryesore të vitit të Skënderbeut e bëmë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, ku folën me pietet si historianë shqiptarë, ashtu edhe maqedonas, por, më tepër do të mbetet e shënuar i gjithë ky aktivitet rastisi në kohën kur kryeparlamentar (i pari në pluralizëm), ishte një shqiptar (Talat Xhaferi). Ky fakt jo i parëndësishëm për kronistët.
Me gjithë këto aktivitete na mbeti edhe një peng në shpirt. “Viti i Skënderbeut” kaloi me një qëllim të kahershëm të parealizuar, i cili as që u fol, e lere më të realizohet.
Si komb, si shtete, në gjithë ato koordinime e bashkëpunime të tri shteteve ku dominoi fryma e Skënderbeut, mund të thuhet se ka një dështim paksa paradoksal në planin artistik. Do ta quaj dështim institucional, sepse mungoi një shfaqje kooproduksionale midis Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit për realizim të një shfaqjeje teatrore që do ta trajtonte epokën e lavdishme të Skënderbeut. Atë që nuk e bënë institucionalisht qendrat teatrore, e bëri vetë, një aktor, Xhevat Limani, i cili me shfaqjen në bazë të poemës së vet, u përkujdes ta sjellë Skënderbeun dhe ta shëtisë nëpër qendrat kryesore të botës dhe të Ballkanit ku jetojnë shqiptarë. Për këtë realizim ai, përskaj duartrokitjeve të mijëra shikuesve, në fund mori edhe mirënjohjen e merituar nga shteti shqiptar(u dekorua nga presidenti Ilir Meta).
Kësisoj, dështimi artistik në skenën teatrore institucionale u kompensua me vetëiniciativën e aktorit të shquar shkupjan që jeton në Amerikë (Xhevat Limanin), por çka u bë me filmin për Skënderbeun? Dështimi këtu nuk është as në kuadër të këtij përvjetori, as në kuadër të një dekade, është dështim shekullor kombëtar!
I përkas gjeneratës që këtë temë kaherë e ka pasur të njohur, si një ide, si një ëndërr, si një fiksim artistik e kombëtar të një aktori të madh, Bekim Fehmiut. Para do kohësh në Shkup u promovua monografia kushtuar Bekimit(nga gazetari dhe publicisti i njohur nga Kosova, Fahri Musliu), ku në rrëfimet e shumta të aktorëve, gazetarëve, regjisorëve, dhe të vetë Bekimit, flitet edhe për këtë synim. Edhe pse ai bëri karrierë ndërkombëtare, nuk arriti ta realizojë ëndrrën e tij, duke u plakur e së fundmi duke kaluar në amshim. Në zenitin e karrierës, kinematografia shqiptare nuk pati forcë ti hyjë edhe një Skënderbeu por edhe sikur ta bënte, zor se do t’ia jepte rolin Bekimit, i cili luajti një hero tjetër, Odiseun, nga mitologjia e një populli fqinj(ka zëra që mbrojnë teorinë se edhe ai duhet të ketë qenë pjesë e historisë sonë), por nuk iu dha shansi t’i hipë kalit të Skënderbeut. Por, nëse ëndrra e Bekimit nuk u realizua, synimi i një kombi që të ketë një vepër kinematografike të vetën për figurën më të madhe kombëtare, nuk duhet të pushojë kurrë. Ne kemi mbetur me filmin që e është realizuar si bashkëpunim shqiptaro-sovjetik të vitit 1953, me regjisor dhe aktorë sovjetikë e shqiptarë të asaj kohe. S’ka çka t’i shtohet atij filmi, ai është i shkëlqyeshëm në kushtet kur është bërë, ka shumë elemente të spektakleve holivudiane që xhiroheshin viteve 50-të dhe 60-të(Spartaku, Ben Hur. Kleopatra…). Por, çdo shikues, madje pa njohje të hollësishme të periudhës së Skënderbeut, do të vërejë mungesën e shumë ngjarjeve ose figurave historike në atë “Skënderbe” të 1953-shës (bie fjala, Mojsi Golemi nuk është askund, duke u përqendruar vetëm në relacionet e Skënderbeut me të nipin Hamzanë). Një rrëfim kinematografik i ri me më shumë bazë faktografike në kontekst të një realizimi artistik, do të ishte i mirëseardhur. Madje edhe një serial çfarë po realizojnë sot qendrat e ndryshme televizive ose producentë turq rreth epokave të ndryshme Perandorisë Osmane, të cilat jo vetëm që janë të shikuara në Turqi, janë të popullarizuara dhe shiten edhe në shumë vende të botës. Kur Turqia prodhon aq shumë histori kinematografike, dy shtete shqiptare, të paktën, mund të bëjnë një film shqiptar për Skënderbeun? Mund të ndajnë një buxhet për këtë qëllim dhe pastaj pjesa tjetër u mbetet njerëzve të profesionit, regjisorëve, shkrimtarëve, skenaristëve, aktorëve…
Por, ideja nuk është e re. E reja është fakti që na iku 550-vjetori i vdekjes së Skënderbeut dhe në këtë plan nuk u bë as më e vogla lëvizje. Para më shumë vitesh kjo ide qe trajtuar në debate televizive dhe atëherë, si shumë herë tjetër, ishte rrahur ujë në havan, pa gjë konkrete. Ishin përmendur emra aktorësh se kush do të mund ta luante(ishin përmendur kalimthi Xhevat Limani dhe Nik Xhelilaj…), ishin përmendur paratë si pengesë kryesore, dhe pastaj, i gjithë ky debat ishte harruar. Pa iniciativë konkrete, pa përkrahje, asgjë. Asnjë qeverie nuk iu kujtua që t’i paraprijë përvjetorit dhe ta vë si qëllim dhe për këtë qëllim edhe të ndajë mjete. Këtu duhet të kuptojmë se një qëllim madhor siç është realizimi i një filmi shqiptar të ri për Skënderbeun, nuk mund të bëhet pa përkrahje të shtetit, sepse realisht nuk mund ta përballojë asnjë producent privat. Fondet që ndajnë ministritë e kulturës apo fondet e filmit, po ashtu janë të vogla për një qëllim kaq të madh. Pra, nevojitet destinim ekstra për t’i hyrë një aventure artistike të kushtueshme.
Si gjithnjë, kur dështojnë shtetet, në lojë hyn Holivudi. Nuk do të ishte ashtu, por, ja, prej andej vjen një paralajmërim se lobisti më i madh shqiptar i diasporës, Xhozef Diogardi, tash po punon në realizimin e kësaj ëndrre. Ka angazhuar njerëz që do të mund ta bënin ëndrrën zhgjëndërr. Por, rruga mund të jetë e gjatë, a do të mbetet ëndërr e parealizuar edhe të një idealisti(të Diogardit) pas Bekim Fehmiut? Nëse do të realizohet, ky do të ishte një film me histori e protagonistë shqiptarë, por, jo dhe me aktorë shqiptarë. Diogardi tashmë ka “piketuar” emrin e aktorit Rasel Krou (ai në mënyrë brilante e pat luajtur fizikantitn dhe matematicientin nobelist Xhon Kesh te filmi “Mendje e bukur”). Kësisoj, edhe pse nëpër Evropë e Amerikë ka shumë aktorë shqiptarë që po bëjnë karrierë, kënga po i këndohet një australiani të amerikanizuar që të jetë Skënderbe. Kjo mund të jetë ajo ironi e fatit për kryetrimin shqiptar gjersa as në filmin e parë të Sergej Jutkijeviçit, as në këtë që mund të realizohet në Holivud e jo në Shqipëri, nuk do të mbajë vulën artistike shqiptare. Në aspektin artistik dhe komercial, një spektakël holivudian shumë më tepër do ta kishte përhapur famën e Skënderbeut nëpër botë, por do të na mbetet peng se si dy shtete shqiptare nuk mund të ndajnë mjete për një film autentik shqiptar për Skënderbeun. Film artistik, ose dhe serial sipas shembujve më të mirë të serialeve turke për sulltanët e ndryshëm të Perandorisë Osmane. Është e qartë se askush nuk mund ta shkruajë një histori filmike me më shumë njohuri se sa autorët shqiptarë. Kështu thotë logjika e shëndoshë.
Opsioni tjetër, kuptohet, do të ishte kooproduksioni midis producentëve shqiptarë me producentë të huaj, për shkak të aspektit komercial, edhe pse çdo kooproduksion bëhet në kushte të caktuara dhe shpesh inferioriteti i producentit vendor u bën lëshime të huajve që mund të shkojë gjer aty sa figura e Skënderbeut të luhet nga aktorë të huaj. Sidoqë të jetë, ne si shqiptarë në këtë plan kemi dështuar dhe duhet të shikohen edhe ato rrugë tjera të njohura nga përvojat e huaja. Ato përvoja të çojnë rrugës së bashkëpunimit me këmbim forcash e sensibilitetesh artistike. Historia e kinematografisë jugosllave njeh shumë raste ku aktorët e kombësisë tjetër kanë luajtur figura të një populli tjetër: te filmi “Atentatorët e Selanikut”, regjisori është serb, rolin kryesor të Simon Radevit e luan serbi A.Gavriq, kurse Pavell Shatevin e njohur( i cili kishte pasur bashkëpunim me Fan Nolin tonë) e ka luajtur Istref Begolli, kurse Faruk Begolli e ka luajtur Nedelko Çabrinoviqin te filmi i Fadil Haxhiqit për atentatin ndaj Franc Ferdinandit, kurse Gavrillo Principin një boshnjak(Irfan Mensur) te filmi i Velko Bullajiqit, kurse Riçard Bartoni e luajti Titon te “Sutjeska”, ndërsa në kushte të pakosnoliduara të kinematografisë kosovare, te filmi “Uka i bjeshkëve të nemura”, ndër më të mirët kosovarë në ish-Jugosllavi, regjisori është serb, skenaristët një maqedonas dhe një shqiptar, kurse rolin emblematik të Ukës, në mënyrë brilante e luan aktori serb Luba Tadiq… Edhe Skënderbeun e parë na e ka luajtur gjeorgjiani Horava Akaki dhe nuk mund t’i zihet behane lojës së tij… Gjithë këto i theksoj si modalitete për një Skënderbe të ri filmik, nga një film i pastër shqiptar e gjer te një kooproduksion ndërkombëtar, ku gjithsesi do të kishte një përzierje aktorësh, producentësh,skenaristësh e regjisorësh. Fundja, mund të mos ishte me rëndësi se kush për çka do të angazhohej në atë projekt, sa ka rëndësi që ideja të realizohet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)