Shkup, 22 mars – Në kinemanë “Milenium” sonte nga ora 20 premierë në Shkup do të ketë filmi i pestë artistik i Millço Mançevskit – filmi amerikan “Bikini Mun” të cilin regjisori maqedonas në tërësi e xhiroi në Nju-Jork me ekip ndërkombëtar.
Pas projeksionit të parë, filmi sonte do të ketë edhe një projeksion – nga ora 22, ndërsa nga nesër do të jetë në repertorin e rregullt të kinemasë, nga ora 20 dhe 22.
“Bikini Mun” është tragjedi bashkëkohore për një grua (rolin e luan aktorja Kondola Rashad), e cila ka qenë luftëtare në Irak dhe pas kthimit jeton si e pastrehë në rrugë në Nju-Jork, dhe për shkak se mentalisht është jostabile, ia kanë marrë vajzën.
“Pikëpamja e saj për realitetin, sepse është mentalisht jostabile, sepse është e riatdhesuar, është portë e shkëlqyeshme në shqyrtimin e asaj që na intereson në këtë film, ndërsa ai është raporti ynë ndaj të vërtetës dhe ajo se si mediat, në rastin e filmit dokumentar, e ndryshojnë të vërtetën për të cilën raportojnë”, tha Mançevski në konferencë shtypi.
Premiera botërore e filmit ishte në festivalin në Sao Paulo, Brazil, ndërsa premierë amerikanë në Sinekvest festival në San Hoze, Kaliforni. Në Festivalin e 38-të të filmit ndërkombëtar “Fantasporto” në Porto filmi e fitoi çmimin special nga juria.
Do të shfaqet edhe në festivalet në Sarasota në Floridë, në Stamboll, ka ftesë për Festivalin e filmit Menhetën në Nju-Jork, në Frankfurt dhe Neshvil në maj.
Në rolet kryesore luajnë edhe Sara Goldberg, Vill Xhenovic, Satja Sridharan dhe Mikal Mishel Haris. Drejtor i fotografisë është Xhoshua U. Vajnstin. Krahas regjisorit Mançevski, në procesin e krijimit të filmit nga Maqedonia morën pjesë edhe kompozitori i muzikës Igor Vasilev Novogradska dhe disenjuesi i efekteve vizuale Misho Ristov.
Para projeksioneve të “Bikini Mun” në “Milenium” do të shfaqet edhe filmi eksperimental pesëminutësh i Mançevskit “Fundi i kohës”.