Shkup, 9 janar – Filma për fëmijë nga kinematografia kroate do të shfaqen nga Kinemaja e Maqedonisë në kuadër të programit “Kinema- mëngjes” të cilin e organizon çdo vit gjatë kohës së pushimit dimëror, njofton Koha.mk
Do të fillojë sonte në ora 19 në filmin “Ndjekje pas motorit” në regji të Branko Majerit nga viti 1959 e cila do të reprizohet nesër në mesditë. Nga ora 20 në mbrëmje dhe në termin të njëjtë nesër mbrëma është filmi “Piko” e Sreqko Vejgandit, poashtu e xhiruar në vitin 1959.
Të premten do të shfaqet “Pulëbardha blu” e Branko Baujerit e vitit 1953, ndërsa për nesër në program është caktuar filmi aventurist “Shoqëria e Pero Xhumkës” në regji të Vlladimir Tadejt i xhiruar në vitin 1970 sipas romanit për fëmijë të shkrimtarit Mato Lovrak.
Më 15 janar (e martë) në mesditë do të shfaqet “Kapiteni i vogël Mikula” e regjisorit Obrad Glushçeviq e xhiruar në vitin 1974, ndërsa më 16 janar në ora 12 është drama e fanta-shkencës “Sekreti i tavanit të vjetër” të regjisorit Vlladimir Tadej nga viti 1984 me të cilën përfundon programi filmik në kinema.
Krahas këtyre projekteve do të hapet edhe ekspozitë “Shikimi fëmijëror” me përzgjedhje nga filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtë të krijuar gjatë periudhës së vitit 1953 deri 2006, që siç thonë nga Kinemaja e Maqedonisë, “me përzgjedhjet e tyre vizuale jo vetëm që me sukses kanë promovuar filmin, por flet edhe për stilin e kohës në të cilat janë krijuar”. Në një vend mes autorëve jo shumë të njohur mund të gjenden edhe vepra të mjeshtërve si Ferdinand Bis, Andrija Mauroviq, Mirko Iliq dhe Radovan Domagoj Deviliq.