Në Pollog, viteve të fundit numri i aksidenteve të shkaktuara nga kafshët lëviz diku nga 100 deri në 120, aksidente që kanë ndodhur në autostradë. Rastet më të shpeshta janë vjedhjet e telave dhe shitja e tyre, por nuk janë të pakta edhe rastet kur bujqit për të arritur më lehtë deri tek arat e tyre, dëmtojnë telat mbrojtjes së autostradës dhe kjo ndodh në tërë autostradën Shkup-Tetovë-Gostivar
Urim HASIPI
Tetovë, 26 mars – Këtyre ditëve, kanë filluar sërish punimet për vendosjen dhe rregullimi i telit mbrojtës përgjatë autostradës Shkup-Tetovë-Gostivar. Këto punime zhvillohen pothuajse çdo vit nga ana e Ndërmarrjes publike shtetërore “Rrugët e Maqedonisë” pasi që teli mbrojtës ose vidhet ose dëmtohet përgjatë autostradës, shkruan gazeta KOHA.
Kryesisht, vjedhja bëhet edhe për përfitime materiale, por edhe nga ana e personave, të cilët largojnë të njëjtin për të patur qasje deri tek pronat e tyre bujqësore. Por kjo e rrit rrezikun për qasje më të lehtë dhe të pakontrolluar të kafshëve të ndryshme në autostradë. Pikërisht, dekadën e fundit, në autostradën “Nënë Terezë”, kjo dukuri përsëritet dhe pasiguria është e pranishme çdo ditë, ngase ka shumë kafshë që kanë qasje të lehtë në autostradë.
“Ndërmarrja publike shtetërore ‘Rrugët e Maqedonisë’ ka filluar me sanimin e mburojave mbrojtëse përgjatë autostradës Gostivar-Shkup-Tetovë, të cilat në masë të madhe janë dëmtuar gjatë periudhës së dimrit, por edhe tani në pranverë. Me këtë rast, janë duke u sanuar mburojat mbrojtëse në mbi 10 mijë metra rrugë, ndërsa në ato pjesë ku këto mburoja janë të dëmtuara në masë të madhe, të njëjtat zëvendësohen me të reja”, deklaroi Gajur Kadriu, drejtor i Ndërmarrjes publike shtetërore “Rrugët e Maqedonisë”.
Gjithashtu, Ndërmarrja publike shtetërore “Rrugët e Maqedonisë” tani në muajt e pranverës ka ndërmarrë edhe një aksion me karakter ekologjik, ku punonjësit e kësaj ndërmarrje po punojnë në drejtim të grumbullimit të mbeturinave në rrugët shtetërore, ndërsa pritet që të angazhohen edhe pjesëtarët e Armatës. Në ndërkohë, drejtori Kadriu ka njoftuar se shumë shpejtë do të ketë disa rikostruime të rrugëve në Pollog.
“Së shpejti, Ndërmarrja publike ‘Rrugët e Maqedonisë’ do të fillojë edhe me rikonstruimin e rrugëve në rajonin e Pollogut, ku prioritet do të jetë rikonsutruimi i rrugës nga stadium i qytetit deri në fshatin Poroj, ndërsa në të ardhmen pritet që të fillojnë punimet edhe për rikonstruimin e rrugës që shpien nga qyteti i Tetovës për në Kodrën e Deillit, ku do të bëhet një rikonstruim i tërësishëm i kësaj rruge”, deklaroi Kadriu.
Në Pollog, viteve të fundit numri i aksidenteve të shkaktuara nga kafshët, lëviz diku nga 100 deri në 120, aksidente që kanë ndodhur në autostradë. Rastet më të shpeshta janë vjedhjet e telave dhe shitja e tyre, por nuk janë të pakta edhe rastet kur bujqit për të arritur më lehtë deri tek arat e tyre, dëmtojnë telat mbrojtjes të autostradës, dhe kjo ndodh në tërë autostradën prej Shkupi-Tetovë-Gostivar. Edhe nga Policia edhe nga ndërmarrja “Rrugët e Maqedonisë” apelojnë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm që të mos dëmtojnë këto mburoja dhe të kujdesen për të njëjtat. Në ndërkohë, sipas policisë së Tetovës së këndejmi sa më parë duhet të merren masa dhe të bëhet diçka në këtë drejtim pasi që gjatë periudhës së ardhshme, në mënyrë enorme do të shtohet numri i veturave në komunikacion me ardhjen e sezonit veror. (koha.mk)