Strugë, 16 qershor – Pas djegieve disaditore dhe protestave të qytetarëve të Strugës, të enjten në mbrëmje është angazhuar i tërë mekanizmi në rajonin e Strugës që të shuhet zjarri i deponisë së egër në afërsi të qytetit. Mekanizmi pastron rrugën që të mund të shkohet deri te zjarri, i cili fillimisht duhet të shuhet, ndërsa më pastaj deponia të rregullohet. Aksionin për lokalizimin e zjarrit në deponinë e Strugës e ka konfirmuar edhe kryetari i komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni. Ai për Strugalajm ka deklaruar se tashmë janë angazhuar të gjithë kompanitë që posedojnë mjete transportuese, por edhe mjete të tjera, në funksion të izolimit të vatrave të zjarrit me tampon dhe sistemimin e deponisë. Zabzuni sqaron se ka patur edhe një komunikim me kryeministrin Zoran Zaev, ku ka marr mbështetje si deklarative ashtu dhe konkrete që kjo problematikë e trashëguar të zgjidhet në një kohë të shkurtër. Zabzuni potencon se kryeministri i ka thënë që qeveria do jetë në gatishmëri duke i ofruar të gjitha resurset për tejkalimin e kësaj problematike. Zabzuni shpreson se qeveria e re do të tregojë më shumë gatishmëri për zgjidhje sepse, sipas tij, qeveria e kaluar për katër vjet nuk bashkëpunoi me Komunën, por në vazhdimësi i bllokoi iniciativat për dislokimin e deponisë. Struganët me vite kërkojnë nga organet kompetente zgjidhjen e këtij problemi. Deponia gjendet vetëm 500 metra larg qytetit, kurse qytetarët kërkojnë që deponia të dislokohet dhe ky problem të zgjidhet për periudhë afatgjate.