Gjatë kohës sa zgjasin punimet nga kjo ndërmarrje kanë apeluar që banorët e Komunës së Jegunocit dhe të Tearcës, të cilët si destinacion kanë Shkupin, të mos qarkullojnë në këtë rrugë por përmes autostradës Tetovë-Shkup
Urim HASIPI
Tetovë, 2 prill – Për shkak të rikonstruimit, rruga rajonale Jegunoc – Saraj do të jetë e mbyllur. Bëhet fjalë për rrugën e cila përveç se lidh Komunën e Jegunocit me Shkupin, po ashtu shfrytëzohet edhe nga ana e banorëve të Komunës së Tearcës. Kohëve të fundit, në shumë pjesë sidomos në territorin e Komunës së Jegunocit, kjo rrugë është dëmtuar dhe krijon vështirësi për vozitësit të cilët qarkullojnë në këtë rrugë. Gjatë javës së kaluar ka filluar rikonstruimi i kësaj rruge rajonale, por varet nga kushtet klimatike se kur do të përfundojë.
“Gjatë javës së kaluar kanë filluar punët në këtë rrugë. Këtyre ditëve duhet të vendoset edhe shtresa e asfaltit në gjatësi prej 4 kilometrave dhe nuk do të ketë mundësi për qarkullim në këtë rrugë. Gjatë kohës së asfaltimit, rruga do të jetë e mbyllur për qarkullim nga ora 9 e mëngjesi e deri ora 18.00 pasdite”, njoftojnë nga njësia rajonale e Ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë” në Tetovë.
Gjatë kohës sa zgjasin punimet, nga kjo ndërmarrje kanë apeluar që banorët e Komunës së Jegunocit dhe të Tearcës, të cilët si destinacion kanë Shkupin, të mos qarkullojnë në këtë rrugë por përmes autostradës Tetovë-Shkup. Asfaltimi i kësaj rruge ishte paralajmëruar që në muajin maj të vitit të kaluar, por si edhe në shumë rrugë në rajonin e Pollogut, edhe në këtë rrugë rikonstruimi dhe asfaltimi filloi me vonesë. Në vitin 2018 ishte asfaltuar rruga që lidh Komunën e Tearcës me atë të Jegunocit. Po ashtu aspak nuk ka filluar rikonstruimi i rrugës nga Stadium i qytetit të Tetovës e deri në fshatin Poroj. Për këtë rrugë janë ndarë 14 milion denarë që në vitin e kaluar, por deri më tani punët nuk kanë filluar, kurse nga Agjencia për rrugë shtetërore kohë më parë deklaruan se fillimisht duhet që Komuna e Tetovës të bëjë rregullimin e kanalizimit atmosferik dhe më pas të fillohet me punë. Por, as punët përgatitore në këtë rrugë nuk kanë filluar, mirëpo në Pollog, ajo që më shumë është në nevojë për vozitësit, është rikonstruimi i autostradës Tetovë-Gostivar. Rikonstruimi i kësaj pjesë të autostradës ishte paralajmëruar nga Agjencia për rrugë shtetërore se do të fillojë këtë vit, paralelisht me rikonstruimet e kohëpaskohshme në rrugët tjera.
Disa vite me radhë janë bërë premtime, por deri më tash konkretisht nuk është bërë asgjë. Për gjendjen e rëndë të kësaj autostrade janë të vetëdijshëm edhe institucionet përgjegjëse në shtet. Vitin e kaluar, drejtori i Ndërmarrjes për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov paralajmëroi se do të fillojë përpilimi i projektit me të cilin do të parashihet rikonstruimi dhe zgjerimi i autostradës Tetovë-Gostivar. Ai tha se janë edhe duke kërkuar fonde për realizimin e punëve. Nga dy korsi sa ka tash, kjo autostradë pritet që të ketë tre korsi dhe kjo është paraparë edhe në projektin e propozuar nga Fakulteti i ndërtimtarisë. Vonesat janë arsyetuar me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, kurse tani me situatën e jashtëzakonshme me virusin nuk ka asnjë paralajmërim se mund të fillojë rregullimi dhe zgjerimi i së njejtës. Vozitësit do të duhet edhe shumë kohë që kur të qarkullojnë në këtë rrugë të kenë më shumë kujdes. (koha.mk)