Qefser ABDYLI
Shkup, 4 mars – Filloi aplikimi për rimbursimin e kostove të qytetarëve në territorin e Shkupit për të blerë shporet me peleta për vitin 2017, shkruan gazeta KOHA. E drejta për të marrë pjesë në këtë shpallje publike, kriteret, mënyra e kompensimit, si dhe mënyra e zbatimit të thirrjes është përcaktuar me njoftimin publik të postuar në faqen e internetit të qytetit të Shkupit. “Qyteti i Shkupit ka për qëllim që të inkurajojë familjet të përdorin burimet e ripërtëritshme të energjisë për të ngrohur shtëpitë e tyre, të cilat minimalisht ndotin ajrin dhe tokën dhe nuk ndikojnë në ndryshimin e klimës. Banorët të cilët blejnë shporet me peleta nga data e publikimit të shpalljes publike që nga 13/03/2017, do të sigurojnë një kthim prej 70% të mjeteve, por jo më shumë se 30.000 denarë, duke përfshirë të ardhurat personale”, thonë nga Qyteti i Shkupit. Thirrja publike zgjatë 15 ditë kalendarike nga data e publikimit më 27.02.2017, e hënë, e deri më 13.03.2017, e hënë, dhe do të zbatohet me principin “i pari erdhi, i pari u shërbye”. Qyteti i Shkupit apelon për pjesëmarrësit e mundshëm të thirrjes që para paraqitjes së dokumentacionit të lexojnë me kujdes kushtet dhe kriteret për pjesëmarrje, pastaj të kompletojnë dokumentacionin e plotë, në përputhje me rregullat për të aplikuar për rimbursimin e pjesës së shpenzimeve. Kjo është thirrja e dytë për rimbursim për blerjen e shporeteve me peleta, pasi thirrja e parë ishte vitin e kaluar dhe u subvencionua me blerjen e shporeteve nga ana e 196 qytetarëve, kurse Qyteti i Shkupit për këtë projekt kishte siguruar 5.896.000 denarë. Këtë vit për kompensimin e kostos së blerjes së shporeteve me peleta Qyteti i Shkupit nga buxheti ndau 10 milionë denarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.