Shkup, 22 qershor – Të dielën, me 23 qershor duke filluar nga ora 21:00 në Parkun e qytetit, fillon ahengu me muzikën e filmave të njohur vizatimor të vendeve të bllokut lindor, që kanë shënuar fëmijërinë e gjeneratave të viteve 70 dhe 80 të shekullit të kaluar. “Baltazar”, “Nu Pogodi”, “Kak Kazaki”, “Kozle Bozle”, “Gustav”, “Teddy Bear” dhe shumë të tjerë do të jenë pjesë e koncertit të parë “Filarmonia në të hapur”, realizuar në bashkëpunimi me QKR dhe Qytetin e Shkupit.
Kryetari Shilegov, së bashku me drejtorin e Filarmonisë kombëtare, Viktor Ilieski, i kumtuan sot detajet dhe i ftuan qytetarët në këtë koncert.
-Edhe këtë vit, fundin e qershorit, e rezervuam për koncerte në ambient të hapur në kuadër të projektit “Parku veror i qytetit”. Në bashkëpunim me Filarmoninë dhe QKR më 23 dhe 29 qershor, qytetarët do të mund të kënaqen me kompozime të performuara nga orkestra simfonike dhe kori, që është praktikë e rrallë në botë. Ky projekt do të bashkojë gjeneratat e ndryshme, prandaj ju ftoj të gjithëve të vini dhe shpresoj sinqerisht që së bashku do të kënaqemi me performancën unike të filarmonisë në ambient të hapur – theksoi Shilegov.
Aranzhimet për temat muzikore i ka bërë Vlladimir Nikolov ndërsa orkestra do të performojë nën dirigjimin e dirigjentit Xhijan Emin, përcjellë KOHA.
– Shkupi po fiton një traditë të re, koncerte të ambient të hapur në Parkun e Qytetit. Në këtë mënyrë, promovojmë vlerat dhe përmbajtjet e vërteta kulturore, sepse kultura duhet të jetë për të gjithë qytetarët – theksoi Shilegov.
Shilegov theksoi se Parku i qytetit është vend për argëtim dhe rekreacion për të gjithë qytetarët. Prandaj, Qyteti i Shkupit punon vazhdimisht për rindërtimin e lëndinave, mirëmbajtjen dhe pastrimin e liqeneve, vendosjen e pajisjeve të reja urbane si dhe futjen e kushteve të reja për shitjen e pijeve dhe ushqimit. (koha.mk)