Shkup, 8 maj – Në VIP Arena “Boris Trajkovski” sot prej orës 10 do të jetë i hapur për vizitorë Panairi i 31-të ndërkombëtar i librit, i cili do të zgjasë deri më 14 maj. Orari i punës në shtatë ditët e panairit është prej orës 10 deri në orën 20.
Do të marrin pjesë rreth 70 botues, ndërsa vizitorët do të mund të blejnë libra me zbritje të panairit. Oferta është e llojllojshme – nga beletristikë deri te libra shkencorë dhe profesionalë, enciklopedi, letërsi për fëmijë…Do të ketë edhe rreth 30 promovime në Qendrën promovuese në VIP Arenën.
Krahas shtëpive botuese nga vendi, është paralajmëruar edhe pjesëmarrje e shtëpive botuese nga Serbia, Kosova, Shqipëria, Danimarka dhe nga Hungaria, letërsia e të cilëve është në fokusin e Panairit të sivjetmë të librit.
Zyrtarisht Panairin e librit sonte do ta hapin ministri pa resor Zoran Shapuriq dhe drejtori ekzekutiv i Panairit të Shkupit Daniella Gligorovska. Fjalime përshëndetëse do të kenë edhe akademik Vllada Urosheviq, kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Sonja Stojmenska-Elsezer dhe mysafirët nga Hungaria – shkrimtari Llasllo Bagoshi dhe Tamash Menzer, sekretar shtetëror i Ministrisë hungareze të Punëve të Jashtme.
Biletat për panair kushtojnë 30 denarë gjegjësisht 20 denarë për vizita grupore. Për qasje më të lehtë dhe të drejtpërdrejtë të vizitorëve deri te VIP Arena “Boris Trajkovski”, NQP “Shkup” edhe këtë vit vendos dy linja të jashtëzakonshme të autobusit nga lagjet Lisiçe e Re (nr.100) dhe Deksion (nr.200).
Panairi i librit është viti i dytë që organizohet në sallën e sporteve “Boris Trajkovski” pas mbylljes së sallave në lokacionin e vjetër. Nga Panairi i Shkupit thonë se po punojnë për gjetjen e zgjidhjes së përhershme për hapësirë të re për prezantime panairi, ndërsa deri atëherë VIP Arena është hapësirë më adekuate për zëvendësim.
Sipas Panairit të Shkupit, vitin e kaluar kishte edhe më shumë vizitorë se sa në vitin 2017, ndërsa botuesit vitin e kaluar vlerësuan se salla e sporteve ishte adaptuar në mënyrë solide dhe lokacioni i ndryshuar nuk e ka ndryshuar frymën e manifestimit.