Prishtinë, 6 shkurt – Në Prishtinë sot u mbajt ceremoni e nënshkrimit të Marrëveshjes komerciale mes ndërmarrjes publike të hekurudhave të Kosovës “Infrakos” dhe firmës italiane GCF (Generale Construzioni Ferrovarie) për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Fushë Kosova deri në Han të Elezit, gjegjësisht deri në kufirin me Maqedoninë, njoftoi mia nga Prishtina, transmeton Koha.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në ceremoni, shprehi kënaqësinë e posaçme që ky projekt po kryhet me investim të përbashkët të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Sot është një ditë feste në Kosovë pasi nga sot fillojnë punimet për rehabilitimit të një segmenti të rëndësishëm që është Fushë Kosovë -Hani i Elezit. Punimet zgjasin 24 muaj dhe i bie që në fillim të viti 2021 kemi hekurudha të mira. Anët e mira të ditës së sotme se ky është një investim i përbashkët, investon Kosova dhe BE-ja”, tha Haradinaj.
Ai paralajmëroi se deri në pranverë të vitit 2021 do të përfundojnë punët e ndërtimit të linjave hekurudhore deri në Merdare, në kufirin me Shqipërinë dhe deri në Leashk në kufirin me Serbinë.
Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, u shpreh se investimi në hekurudha është një lajm i mirë.
“Sot po fillon diçka e re për hekurudhën e Kosovës, do të ndodh investimi në hekurudha. Trenat do të kenë mundësi të zhvillojnë shpejtësi deri në 150 km në orë. Nga sot 210 milionë euro para të siguruara nga Qeveria e Kosovës përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Edhe sistemi hekurudhor në Kosovë është prioritet për qeverinë”, tha Lekaj.
Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Luigi Brusa, tha se kjo hekurudhë do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë e Kosovës.
“Jemi duke nisur një udhëtim, por ky është një udhëtim i vërtetë, sepse do të ketë një ndikim shumë pozitiv nga ky investim në ekonominë e Kosovës. Është një investim i vërtetë sepse do të krijohen rreth 120 vende pune”, u shpreh Brusa. (koha.mk)