Mjekët rekomandojnë tek ata që kanë vendosur që të mbajnë Ramazanin të jenë më të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në vende më të freskëta. Mjekët këshillojnë të gjithë besimtarët myslimanë që vuajnë nga diabeti, zemra, sëmundjet e veshkave dhe që marrin medikamentet përkatëse të mos agjërojnë gjatë këtij muaji.
Urim HASIPI
Tetovë, 6 maj – Për besimtarët myslimanë të hënën fillon Muaji i shenjtë i Ramazanit. Në këtë muaj, besimtarët privohen nga e drejta e konsumimit të ushqimit, konsumimit të lëngjeve por edhe mënyrave tjera të të ushqyerit. Periudha e agjërimit zgjatën deri në 17 orë, ndërsa gjatë kësaj kohe mjekët rekomandojnë që personat me sëmundje kronike të mos agjërojnë për shkak të komplikimeve shëndetësore, shkruan gazeta KOHA.
“Dihet se qytetarët muslimanë gjatë kohës së agjërimit nuk konsumojnë ushqim një kohë të gjatë, dhe në këtë periudhë duhet më shumë kujdes të kenë personat që kanë sëmundje kronike, të moshuarit, sidomos ato me diabet, me tension të lartë dhe ata që rregullisht përdorin terapi”, tha Armend Sejdini, mjek në repartin e Ndihmës së Shpejtë në Tetovë. Jo rrallë herë gjatë viteve të kaluara, pas ushqimit të iftarit, shumë qytetarë kanë komplikime shëndetësore për shkak të ushqimit me shumë yndyra. Mjekët apelojnë që të gjithë të kenë kujdes sepse mund të kenë pasoja. Ata këshillojnë që të merren ushqime më të lehta. Sipas mjekëve, viteve të kaluara gjatë Muajit të Ramazanit në këtë repart, ndihmë kërkojnë personat e moshës madhore sidomos ata që agjërojnë. Mjekët thonë se brenda një orari në mbrëmje ka patur rreth 80 pacientë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, pjesa dërmuese për shkak të problemeve që shfaqen pas ngrënies së iftarit.
“Viteve të fundit, gjithë muaji i Ramazanit është me një kohëzgjatje rreth 17 orë e më shumë. Prandaj, në periudhën para iftarit dhe pas saj kemi patur më shumë pacientë. Në këtë periudhë pritet që më shumë të ketë problem edhe tek pacientët tjerë për shkak të temperaturave dhe mos kujdesit ndaj ushqimit”, thonë mjekët. Mjekët rekomandojnë ata që kanë vendosur që të mbajnë Ramazanin, të jenë më të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në vende më të freskëta.
“Ditëve të para të Muajit të Ramazanit zakonisht kemi numër të madh të pacientëve, një numër i madh i tyre vijnë edhe para kohës së iftarit, kurse një pjesë vijnë pas. Më shumë kemi pacientë me kokë dhimbje, me alivanosje, me dhimbje në bark. Vijnë pacientët me sëmundje kronike të cilët nuk e kanë konsumuar terapinë dhe përkeqësohet gjendja e tyre. Ndërsa ata pacientë që vijnë pas ngrënies së iftarit, janë ato që kanë konsumuar më shumë ushqim se zakonisht. Bëhet fjalë për pacient të cilët kanë dhimbje në bark pasi që një kohë të gjatë lukthi ka qëndruar pa ushqim dhe menjëherë konsumimi është i madh dhe paraqiten probleme të ndryshme”, thonë mjekët. Ata këshillojnë të gjithë besimtarët myslimanë që vuajnë nga diabeti, zemra, sëmundjet e veshkave dhe që marrin medikamentet përkatëse, të mos agjërojnë gjatë këtij muaji. I njëjti rekomandim shkon dhe për gratë shtatzëne që sipas tyre duhet të hanë shpesh gjatë ditës. (koha.mk)