Shkup, 20 nëntor 2018 – Një ton goma të vjetra dhe të shkatërruara të cilat janë gjetur në oborret e qytetarëve, si mbeturina që deri tani janë djegur në sipërfaqe të hapura, kanë konfiskuar inspektorët komunal gjatë kontrollit në deponinë e kundërligjshme në Vardarishte.
“Pasi deponia në Vardarishte u shënua si një prej pikave kritike për ndotjen e ajrit, inspektorët komunalë në komunën e Gazi Babës, së bashku me Inspektoratin e Qytetit të Shkupit, Ndërmarrjen Komunale Publike Gazi Babë 2007 dhe MPB, sot kanë bërë kontrolle në deponinë e kundërligjshme në Vradarishte. Gjatë kontrollit janë konfiskuar 1 ton goma të vjetra dhe të shkatërruara të cilat kanë qenë në oborret e qytetarëve, mbeturina të cilat deri tani janë djegur në sipërfaqe të hapura, me të cilat në mënyrë të konsiderueshme është ndotur mjedisi jetësor”, informojnë nga komuna e Gazi Babës
Me këtë aksion, siç kumtojnë nga Gazi Baba, komuna së bashku me inspektoratin e qytetit të Shkupit e fillon betejën me ndezjen e zjarreve në sipërfaqe të hapura, posaçërisht në deponitë e kundërligjshme, prej të cilave përhapet erë jo e këndshme dhe e cila e ndot ajrin.
Nga komuna e Gazi Babës theksojnë se në mënyrë të pavarur apo bashkërisht me institucionet relevante edhe në periudhën e ardhshme do të punojnë në zbulimin e ndotësve të mjedisit jetësor në komunë, ndërsa për kundërvajtësit do të vijojnë dënime përkatëse.