Prishtinë, 26 nëntor – Për shkak të dyshimeve për një varrezë masive që nga lufta e vitit 1998-99 në Kosovë, sot, me kërkesën e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, do të fillojnë gërmimet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, në afërsi të kishës së atëhershme ortodokse, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Me urdhër të prokurores Drita Hajdari, në oborrin e kampusit universitar, konkretisht në parkingun e Fakultetit të Arteve, dje filluan punimet për përgatitjen e terrenit në vendin në të cilin ka dyshime se ka varrezë me trupa të civilëve shqiptarë të varrosur nga ana e formacioneve ushtarake dhe paraushtarake serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu para se të fillonin gërmimet deklaroi për mediat se, sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, gjatë luftës së fundit ka pasur lëvizje të makinerive ndërtimore në atë vend, kryesisht gjatë natës. Gërxhaliu tha se në vendin ku tash do të gërmohet janë gjetur pjesë të veshjeve për burra dhe gra, në të cilat kishte gjurmë gjaku.
Në kampusin universitar në qendër të Prishtinës pati gërmime edhe në vitin 2016, por atëherë nuk u zbulua varri masiv, ndërsa gërmimet e reja do të kryhen në një tjetër lokacion, që është afër me atë të mëparshmin.