Në rezidencën e konsullit gjeneral saudit kanë arritur edhe zyrtarët sauditë nga grupi i punës i formuar për hetimin e rastit të zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi pas hyrjes në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor
Delegacioni turk i cili kryesohet nga një zëvendëskryeprokuror i shtetit dhe një prokuror nga Prokuroria e Stambollit, përbëhet nga një staf ekspertësh nga departamentet e hetimit të skenës së krimit, të sigurisë publike dhe antiterrorit pranë Drejtorisë së Policisë së Stambollit.
Në rezidencën e konsullit gjeneral saudit kanë arritur edhe zyrtarët sauditë nga grupi i punës i formuar për hetimin e rastit të zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi pas hyrjes në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor. Zyrtarët sauditë arritën në rezidencë pasi dje konsulli saudit Mohammad al-Otaibi u largua nga Turqia.
Grupi i përbashkët i përbërë nga zyrtarë sauditë dhe turq filluan hetimin e parë disa orësh në ndërtesën e konsullatës të hënën, ndërsa sot është vazhdimi i hetimit të përbashkët.
Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.
Sipas burimeve të sigurisë, Khashoggi shkoi në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll për procedura të martesës, ndërsa më pas u konfirmua se nuk është larguar më nga konsullata dhe se në të njëjtën orë në ndërtesën e konsullatës kanë mbërritur 15 qytetarë sauditë, duke përfshirë edhe zyrtarë të cilët më pas janë kthyer në vendet nga kishin ardhur.