Në Gjykatën Penale sot duhet të fillojë gjykimi për lëndën “TNT” të PPS-së, i cili ka të bëjë me rrëzimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit dhe kryetarit të Partisë për Ardhmëri Evropiane, Fijat Canoski. Në këtë lëndë akuzohen shtatë persona mes të cilëve, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish-kryetari i Gazi Babës, Toni Trajkovski. Me orarin e ri vjetor lënda “TNT” i është ndarë gjykatësit Ognen Stavrev. Këshilli për vlerësimin e aktakuzës pranë Gjykatës Penale më 17-të nëntor të vitit të kaluar e pranoi akuzën për lëndën “TNT”.
Gjykata e Apelit më 4 nëntor të vitit të kaluar vendosi që bisedat e përgjuara në rastin “TNT” për rrëzimin e kompleksit Kosmos të mund të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë gjyqësore. Prokurorët e PPS-së në seancë publike deklaruan se Gruevski dhe Janakievski nuk janë viktima të përgjimit, por se ata kanë qenë pjesë e pushtetit që në mënyrë të kundërligjshme ka përgjuar. Sipas prokurorëve xhirimet kanë vlerë dëshmuese dhe me ato nuk shkelet privatësia e të akuzuarve. Avokatët e të akuzuarve vlerësojnë se bisedat e përgjuara janë marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe me ato shkelet privatësia e të akuzuarve.