Gjykimi i ushtarit 21-vjeçar Vadim Shishimarin, i dyshuar për vrasjen e një civili në fshatin ukrainas Çupakivka, sot do të duhej të fillonte, me çka për herë të parë prej fillimit të luftës në Ukrainë një pjesëtar i forcave ruse do të ndiqet për krim lufte.
Ai akuzohet se ka shtënë në kokën e personit 62-vjeçar në fshatin që ndodhet në Ukrainën verilindore. Mund të dënohet me burg të përjetshëm.
Avokati i ushtarit Shishimarin, Viktor Ovsjanikov pranoi se Prokuroria ka ndërtuar rast të fuqishëm kundër klientit të tij. Por, sipas tij, aktvendimin përfundimtar do ta sjellë gjykata në Kiev. Shishimarin ende nuk ka vendosur se si do të deklarohet rreth aktakuzës.
Prokurori kryesor ukrainas po kryen gjithnjë e më shumë hetime për shkak të vrasjeve, keqtrajtimeve dhe torturave të përfolura të civilëve në Ukrainë nga ana e ushtarëve rusë.
Po hetohen mbi 10.700 krime potenciale të luftës, në të cilat janë përfshirë më shumë se 600 të dyshuar.
Volodimir Javorkij, koordinues i Qendrës për liri qytetare në Kiev, deklaroi se gjykimin do ta ndjekin aktivistë, me qëllim që të sigurojnë mbrojtje të të drejtave të tij ligjore.
“Mund të jetë e vështirë të mbahet neutraliteti i procedurave gjyqësore gjatë luftës. Respektimi i rregullave dhe normave do të caktojë se si në të ardhmen do të zgjidhen rastet e ngjashme”, sqaroi Javorkij.
Javën e kaluar në rrjetet sociale, nga Prokuroria u publikuan disa hollësi të caktuara. Ushtarët rusë panë një njeri i cili bisedon në celular, kështu që Shishimarin kishte marrë urdhër ta vrasë, me qëllim që të mos i paraqesë tek autoritetet ushtarake ukrainase. Shishimarin, përmes dritares së hapur të automjetit, ka shtënë me kallashnikov dhe e ka qëlluar personin në kokë.
Ishte publikuar edhe një incizim i shkurtë, ku Shishimarin pranon se e ka qëlluar viktimën.
“U urdhërova të qëlloj. E qëllova njeriun, ai ra, ndërsa ne vazhduam më tutje”, rrëfen Shishimarin në atë incizim.
Nuk ka hollësi për atë se kush e dha urdhrin e tillë.