Shkup, 7 nëntor – Komisioni kuvendor për çështje kushtetuese sot do ta fillojë debatin për katër draft-amendamentet e Kushtetutës në bazë të Marrëveshjes së Prespës, i cili duhet të zgjat 12 ditë. Seancën plenare kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Komisionit, e caktoi për më 1 dhjetor. Kryeministri Zoran Zaev të premten në konferencë për shtyp në Qeveri kumtoi se katër amendamentet janë të thjeshta, nuk kanë asgjë kontestuese dhe janë në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare dhe meritojnë mbështetje nga të gjithë deputetët në emër të integrimit në BE dhe në NATO. Sipas tij, draft-amendamentet janë përcaktuar përgjatë procesit inkluziv dhe në to janë vendosur propozimet e grupit të pavarur parlamentar të VMRO-DMPNE-së në Kuvendin e RM-së.
Deputetët në Kuvend, siç sqaroi Zaev, kanë mundësinë që përmes debatit dhe amendamenteve ta përmirësojnë tekstin e draft-amendamenteve të propozuara. Amendamenti i parë ka të bëjë me ndryshimin e emrit Republika e Maqedonisë me Republikën Maqedonia Veriore gjithkund në Kushtetutë përveç se në nenin 36 ku ka aspekt historik. I dyti ka të bëjë me Preambulën e Kushtetutës, ku, siç tha Zaev, vendimet e KAÇKM-së zëvendësohen me Deklaratën e Asamblesë së parë të KAÇKM-së dhe shtohet që Marrëveshja e Ohrit të jetë element konstituiv i shtetit.
Në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, që përfshihet në Preambulën e Kushtetutës, kryeministri tha se kjo marrëveshje edhe deri më tani ishte e vendosur plotësisht në Kushtetutë, por se argumentet të cilat ishin dhënë në debat ishin se nëse veç më hapet Kushtetuta, atëherë edhe ajo të vendoset që të jetë element konstituiv.
“Ajo është pjesë e Kushtetutës, është vendosur dhe këtu vetëm shtohet formulimi Marrëveshja kornizë e Ohrit”, tha Zaev.
Në amendamentin e tretë shtohet vetëm një paragraf, e ai është që Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje, që jep garanci më të fuqishme për qëndrueshmërinë dhe paprekshmërinë e kufijve me Greqinë, edhe pse ka të bëjë për të gjithë fqinjët.
Në amendamentin e katërt, krahas vërtetimit të identitetit maqedonas, qëndron se Republika e Maqedonisë i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të saj të cilët jetojnë ose qëndrojnë jashtë vendit dhe i përmirëson lidhjet e tyre me atdheun.
Kuvendi më 19 tetor me 80 vota “për” solli vendim për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, sipas marrëveshjes së Prespës. Tetë deputetë të VMRO-DPMNE-së opozitare dhe koalicionit votuan “për” ndryshimet kushtetuese.
Përcaktimi i draft amendamenteve të Kushtetutës nga ana e Kuvendit është faza e dytë e procedurës për ndryshim të Kushtetutës. Draft amendamentet përcaktohen me shumicë të thjeshtë ose 61 vota, përderisa faza e tretë dhe e fundit është miratimi i amendamenteve për çka nevojitet shumicë prej dy të tretave ose mbështetje nga më së paku 80 deputetë.
Rregullorja e Kuvendit parasheh që nga momenti i dorëzimit të draft-amendamenteve në Kuvend e deri në mbajtjen e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë së paku 30 ditë.
Shqyrtimi i secilit draft-amendament ndaras mund të zgjasë më së paku nga tre ditë dhe në Komisionin dhe në seancën plenare, por mund të përfundojë edhe më shpejtë se afatet maksimale.
Kuvendi me së paku 61 vota duhet t’i përcaktojë draft-amendamentet, pas çka ata shkojnë në debat publik, kohëzgjatjen e të cilit e përcakton Parlamenti.
Pas kësaj fazë të ndërmjetme, Qeveria duhet t’i përgatisë propozim-amendamentet dhe t’i dorëzojë deri te Kuvendi. Që nga momenti i dorëzimit të propozim-amendamenteve në Kuvend e deri në mbajtjen e seancës plenare për miratimin e tyre duhet të kalojnë më së paku 30 ditë.
Propozim amendamentet duhet të shqyrtohen nga Komisioni ligjvënës-juridik dhe Komisioni për çështje kushtetuese, ndërsa në fund edhe seancë plenare.
Vendimi final për miratimin e amendamenteve sillet me shumicë prej dy të tretave ose së paku 80 vota. Për amendamentin e Preambulës të Kushtetutës përveç shumicës prej dy të tretave, nevojitet edhe shumica e Badenterit.