Ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë nga 27 prilli i vitit të kaluar, si një nga ngjarjet më të mëdha penale juridike për gjyqësinë e Maqedonisë, por njëherit edhe si një nga sfidat më të mëdha politiko-juridike që duhet të tregojnë nëse Maqedonia riformohet në shtet juridik, nga java e kaluar ngadalë filluan të hyjnë në epilogun e tyre juridik.
Tashmë katër ditë me radhë në Gjykatën Penale në Shkup dëgjohen deklarata të Prokurorisë, të të akuzuarve dhe përfaqësuesve të tyre. Të gjithë të akuzuarit prej të cilëve 31 akuzohen për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe dy për ndihmë, deri tani u shprehën se nuk ndjehen fajtorë.
Të pyetur direkt dhe individualisht nga gjykatësja Dobrilla Kacarska nëse ndjejnë faj, të gjithë, deri te i fundit, u përgjigjën se nuk kanë kurrfarë faji. Fjalë hyrëse paraprakisht dhanë edhe avokatët e të akuzuarve të cilët thanë se akuza e tillë menjëherë duhet të tërhiqet dhe konstatuan se nuk ka dëshmi për aktpadinë. Mbrojtësit pohojnë se të akuzuarit nuk kanë bërë kurrfarë vepër penale, ndërsa më së paku terrorizëm, shkelje të rendit kushtetues ose akt të dhunës. Ata potencuan edhe se “gjykata nuk ka gjetur mospërshtatje të konvokojë seancë për vlerësim të aktpadisë”. Avokatët e deputetëve thanë se ata akuzohen për terrorizëm në bazë të fjalëve të thëna.
Procesi gjyqësor filloi me fjalët hyrëse të prokurores Vilma Ruskoska, e cila theksoi se PSP ka siguruar dëshmi me të cilat do t’i konfirmojë dëshmitë për veprën e bërë. Sipas saj, sulmet në Kuvend do të mbesin thellë të gdhendura në historinë e Maqedonisë.
“Sulmuesit, të cilët janë në bankën e të akuzuarve, përmes dëshmive do të shihet nëse janë udhëhequr nga Aleksandar Vasilevski-Ninxha dhe Nikolla Mitrovski-Kolo. Policët, janë rreshtuar në anën e tyre. Deputetët të cilët i hapën dyert, ishin të vetëdijshëm se sulmuesit do të bëjnë kaos, me çka i shkelën parimet kushtetuese. Grupi “Për Maqedoni të përbashkët”, sërish ka pasur detyrë me fjalime luftënxitëse t’i bëjnë thirrje masës drejt Kuvendit”, theksoi Ruskoska në fjalimin e saj.
Tre nga katër seancat gjyqësore të cilat Kacareska i udhëheq nën kontroll të plotë, kanë zgjatur nga gjashtë-shtatë orë, përveç e djeshmja, e cila, në mënyrë befasuese për të pranishmit në sallën gjyqësore, ishte ndërprerë vetëm pas një ore nga debati dhe është ricaktuar për më 31 gusht.
Në vazhdim të premten, është parashikuar të dëgjohen dëshmitarët Damjan Mançevski, Frosina Remenski, Pavle Bogoevski dhe Ilija Nikollovski të propozuar nga Prokuroria.
Në bankën e të akuzuarve ka deputetë, ish funksionarë, personalitete publike, policë, artistë…
Në bankën e të akuzuarve në gjykatë janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mladenovski, Mihail Mlladenovski, Zakaria Simovski, Mladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vlatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski.