Urim HASIPI
Tetovë, 13 mars – Uzurpuesit e pronave publike në Tetovë gati se njëzet vjet po i zënë frymën qytetit dhe pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Që ironia të jetë më e madhe, bëhet fjalë për prona përgjatë trotuareve dhe vendeve publike ku pamundësohet qarkullimi i lirë edhe i qytetarëve, por edhe i automjeteve, shkruan gazeta KOHA. Inspektorati komunal i Komunës së Tetovës filloi të hënën aksionin e paralajmëruar me të cilin do të kthejnë trotuaret, shtigjet për këmbësorë dhe hapësirat e gjelbërta në shërbim të qarkullimit të lirshëm të qytetarëve. “Gjatë ditës së hënë aksioni filloi përgjatë bulevardit të Ilindenit, dhe është për tu përshëndetur fakti që të gjithë pronarët e lokaleve ishin mjaft kooperativ dhe vepruan në mënyrë të menjëhershme konform kërkesës së inspektorëve komunal, duke mënjanuar mallin, materialin dhe karriget që ishin të vendosura përgjatë trotuareve.
Gjithashtu, informojmë dhe inkurajojnë afaristët që të veprojnë dhe në kontinuitet të respektojnë Ligjin për pastërti publike, në të kundërtën – Inspektorati komunal, SPB Tetovë dhe Inspektorati shtetëror i tregut do të shqiptojnë dënime dhe gjoba për të gjithë subjektet dhe afaristët të cilët do të refuzojnë dhe do të veprojnë në kundërshtim me urdhëresën e Inspektoratit komunal”, njoftuan nga Komuna e Tetovës. Ky aksion do të vazhdojë në të gjitha rrugët dhe hapësirat e qytetit, dhe i njëjti do të zgjasë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme, deri sa të kthejmë të gjitha hapësirat publike në shfrytëzim publik për të gjithë qytetarët. P
ërndryshe, të hënën ka përfunduar afati ligjor prej 8 ditësh, me të cilin u informuan të gjithë pronarët e lokaleve afariste për të liruar hapësirën publike përpara lokaleve të tyre. Komuna e Tetovës paralajmëron të gjithë shitësit ambulant që kryejnë veprimtari në hapësira publike, se ky aksion nuk do të jetë i natyrës ekspeditive, dhe i njëjti do të implementohet në vazhdimësi, deri në vendosjen definitive të rendit publik, kurse për personat të cilët nuk do ta respektojnë këtë vendim, nuk do të ketë aspak tolerancë dhe për të njëjtit do të pasojnë sanksione dhe gjoba rigoroze. Nga pushteti lokal në Tetovë apelojnë deri te qytetarët që të tregohen të vetëdijshëm dhe ushtrimin e aktiviteteve ekonomike ta bëjnë në tregjet dhe vendet e parapara për këtë veprimtari, e jo në hapësirat ku me aktivitetin e tyre, vënë në rrezik jetën e këmbësorëve dhe qytetarëve, të cilët në mungesë të hapësirës adekuate, janë të obliguar të qarkullojnë në anësh rrugëve ku qarkullojnë automjetet.
Në ndërkohë, në shumë lagje dhe rrugë të Tetovës vërehen vetura dhe automjete të tjera si kamion dhe furgonë, të cilët me vite të tëra qëndrojnë nëpër hapësira publike. Në disa vende është e pamundur të qarkullohet pikërisht nga këta automjete të cilët janë lënë në trotuare dhe vende të papërshtatshme me vite të tëra. “Aksioni për largimin e automjeteve të havarisura do të vazhdojë edhe në të ardhmen, nga ku do të bëhet detektimi i tyre nëpër qytet dhe më pastaj do të vazhdohet me zbatueshmërinë e masës për largimin e tyre nga ana e autoriteteve komunale”, theksojnë nga shërbimi për informim i Komunës së Tetovës. Më vështirë janë rrugët që çojnë për dalje nga qyteti ku janë edhe të vendosura shumica e marketeve.
Trotuare dhe rrugë të pakalueshme, vetura të parkuara gjithandej, ngarkim-shkarkim i mallit pa respektuar orarin prej orës 19 në mbrëmje deri ora 7 në mëngjes. Mallrat nëpër markete të ndryshme zbarkohen edhe në mes të ditës, ndërsa transportuesit e bllokojnë rrugën dhe më pas krijohet tollovia në rrugët e Tetovës edhe pse ekziston një vendim i sjellë nga përbërja e kaluar e Këshillit të Tetovës që ngarkim-shkarkimi i mallit në disa rrugë të qytetit të bëhet me orar të caktuar. (koha.mk)