Filloi seanca për zgjedhje të ministrave të rinj

10

Shkup, 1 qershor – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e filloi seancën e 49-të me votimin e vendimit për publikimin e shpalljes për anëtarë të rinj të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilët do të jenë me mandat prej gjashtë muajve.

Anëtarët e KSHZ-së, sipas ndryshimeve, do të zgjidhen sipas modelit të vjetër. Shpallja do të zgjasë tetë ditë, me ç’rast partitë duhet të prononcohen për kandidatët e paraqitur. Kryetari i KSHZ-së duhet të jetë nga radhët e opozitës.

Deputetët pastaj e filluan procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë. Në rend dite është zgjedhja e ministrave dhe zëvendësministrave të rinj në Qeveri.

Kryeministri Zoran Zaev në Kuvend javën e kaluar dorëzoi propozim për ministra të rinj sipas të cilit, për ministre të re të Drejtësisë propozohet Renata Deskoska, ministër i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi, i Kulturës Asaf Ademi dhe ministër pa resor Bardhyl Dauti.

Për zëvendësministër i Punëve të Jashtme është propozuar Andrej Zhernovski, zëvendësministër i Shëndetësisë Asim Musa, zëvendësministër i Punës dhe Politikës Sociale, Gonul Bajraktar dhe i Transportit dhe Lidhjeve, Sadik Beqiri.

Si partnerë të rinj të koalicionit në Qeveri hynë krahu i Besës i Afrim Gashit dhe PDSH, të cilët kanë vende ministrore, si dhe Lidhja e Romëve.

Pritet që në seancë kryeministri Zaev ta elaborojë propozimin, pas të cilit do të hapet debat. Ministrat e rinj duhet të zgjidhen deri në mesnatë. Nëse përzgjedhja bëhet më parë, Kuvendi do të bëjë zgjedhjen e zëvendësministrave. Në të kundërtën, ka gjasa seanca të vazhdojë të shtunën.

Comments are closed.