Rinovimi i objekteve historike në Çarshinë e Shkupit çdoherë është përshëndetur nga esnafi dhe qytetarët të cilët shpirtërisht janë të lidhur me këtë trashëgimi. Megjithatë, ata nënvizojnë se pjesa e vjetër e Shkupit ka nevojë më tepër për investimet shtetërore në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë nga koha e Perandorisë Osmane, pasi jo çdo shoqëri posedon një pasuri të tillë
Omer XHAFERI
Shkup, 18 korrik – Çifte Hamami, një objekt i lashtë historik që nga koha e Perandorisë Osmane, i pozicionuar në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, gjatë dy muajve të ardhshme do ti nënshtrohet një procesit të restaurimit. Punimet të cilat kanë filluar disa ditë me radhë i kanë sqaruar edhe nga Galeria Kombëtare e Maqedonisë, ku theksojnë se pas Çifte Hamamit, restaurimit do ti nënshtrohet edhe Hamami i Daut Pashës, i cili gjendet në hyrje të Çarshisë, nga pjesa e Urës së Gurit, shkruan gazeta KOHA. Kjo ndërhyrje institucionale në objektin e Çifte Hamamit, sipas arkitektit Llazar Shumanov, synon rimëkëmbjen e dëmeve nga lagështia e brendshme dhe e jashtme, mbrojtjen kundër ujërave atmosferike, futjen e sistemit të ventilimit të brendshëm, mbrojtjen nga rrezatimi UV e kështu me radhë.
“Në këtë fazë do të kryhen aktivitetet sikur që është riparimi i çatisë me ndërtimin e kanaleve horizontal edhe vertikale për mbrojtje nga ujërat atmosferike, ndërtimi i një kanali kullues në anën lindore të ndërtesës (eksterier), riparimi i të gjitha dëmeve nga lagështia e brendshme (depo, hapësira ekspozuese) me një sfond të veçantë me panele për gjatë murit perëndimor. Tutje restaurimi ka për qëllim shndërrimin e objekteve në hapësira ekspozuese funksionale me kontakt vizual, me hipoakustik dhe zhvendosjen e dhomës së portierit, respektivisht rinovimi i ‘Çifte Hamamit’ bëhet edhe në drejtim të ndërtimit të një strukture mbrojtëse të çatisë në pjesën e jashtme lindore mbi vatrën e zjarrit”, thonë nga Galeria Kombëtare e Maqedonisë.
Fillimi i punimeve përreth Çifte Hamamit është mirëpritur nga shumë esnaf, të cilët vlerësojnë se mbështetja institucionale ndaj kësaj kategori të objekteve historike nuk duhet të përfundoi me kaq. Nevojën e madhe për riparimin dhe vendosjen në funksion të një sërë objektesh historike në Çarshinë e Shkupit, të cilët për momentin janë në gjendje të mjerueshme e ka potencuar gati çdo dyqanxhi i çarshisë. Kthimi i pamjeve autentike të dyqaneve, gjegjësisht vendosja e fasadave të reja dhe restaurim i një pjesë të kalldrëmit, siç thonë disa dyqanxhi të Çarshisë, në masë të madhe do të ndikonte që turistët e huaj dhe ato vendas t’ia mësyn Shkupi të vjetër më shpesh.
Pa dyshim, njëri prej objekteve që duhet të relativizohet dhe ndërtohet në pamjen e mëhershëm është Shengjyl Hamami, i cili bashkë me Kurshumli Hanin dhe xhaminë e rrënuar të Kazanxhilerëve e ka përbërë një pjesë tejet të rëndësishme të Çarshisë së Shkupit. Paralelisht me Shengjyl Hamamin i cili për momentin pothuajse tërësisht është i rrënuar, me përjashtim të një murri të vjetër i cili ndër vite qëndron si një lule e venitur që pret të ujitet, restaurim i urgjent duhet të bëhet edhe mbi gjitha muret e Kurshumli Hanit. Jo larg Çarshisë, por në një lagje të vjetër të Shkupit, nën Sahat Kullën e njohur, qëndron edhe një hamam tjetri i cili në popull njihet si “Banja e re”. Ndërtimi i kompleksit universitar të “Shën Kirilit dhe Metodit” nga njëra anë dhe urbanizmi i mëhallës së Sahat Kullës, nga ana tjetër fatkeqësisht e kanë lënë nën hije këtë objekt të rëndësishëm kulturore.
Sidoqoftë, punime si ky llojit të restaurimi të Çifte Hamamit, ngjallin shpresë të shumë qytetarë të pjesës së vjetër të Shkupit dhe kryesisht Çarshisë, se në kuadër të institucioneve shtetërore ekzistojnë njerëz me logjikë të shëndosh, të cilët dinë të bëjnë dallimin mes peshës që kanë objektet vjetra historike të lëna pas dore dhe ato të cilat u ndërtuan në kuadër të projektit famë keq “Shkupi 2014”. (koha.mk)