Medreseja “Isa Beu” – paralelja e shtrirë e vajzave në Tetovë është hapur në vitin 2004 dhe deri më tani ka përcjellë 11 gjenerata. Megjithatë, edhe përkundër shumë insistimeve që kjo medrese të akreditohet si shkollë e mesme në kuadër të shtetit, e njëjta ende është në kuadër të BFI-së
Urim HASIPI
Tetovë, 20 qershor – Medreseja “Isa Beu” paralelja e shtrirë e vajzave në Tetovë ka shpallur konkursin për pranimin e nxënëseve të rregullta në vitin e parë shkollor 2018/2019. Për këtë vit shkollor është paraparë të regjistrohen 44 nxënëse në dy paralele me nga 22 nxënëse, edhe pse interesimi për të vijuar arsimin e mesëm është shumë i madh dhe nga viti në vit shënon rritje, shkruan gazeta KOHA. Medreseja këtë vit ka paraparë që të interesuarit t’i nënshtrohen edhe provimit që do të mbahet më datë 23 qershor, thotë Beqir Memeti, drejtor i Medresesë “Isa Beu” paralelja e shtrirë e vajzave në Tetovë.
“Edhe këtë vit planifikojmë të pranojmë dy paralele me nga 22 nxënëse në klasë, gjithsej 44 nxënëse, edhe pse kemi mjaftueshëm kandidatë të cilët kanë interesim për të ndjekur arsimin e mesëm në medrese, prandaj më datë 23 të këtij muaji kemi edhe provimin pranues ku nxënëset të cilat i plotësojnë kushtet për të ndjekur mësimin në këtë shkollë, ata do të vijojmë mësimin, ndërsa të tjerat të cilat nuk plotësojnë kushtin – kuptohet nëse nuk kalojnë provimin pranues, nuk do të kenë mundësi të ndjekin mësimin në këtë shkollë. Edhe pse që të gjithë ne e dimë se medreseja është një shkollë e mesme dhe funksionon në kuadër të Bashkësisë Fetare Islame ku financimi bëhet nga popullata e këtyre trevave, qofshin ata në mërgatë apo qofshin në vendlindje, pra është një kontribut i paharruar i kësaj popullate, është një kontribut apo një angazhim i parezervë i teologëve, imamëve, muezinëve që funksionojnë dhe veprojnë në kuadër të Bashkësisë Islame. Është një kontribut i parezervë edhe i muftive, të cilët kontribuojnë dhe veprojnë në kuadër të Bashkësisë Islame të Maqedonisë”, deklaroi për KOHA, Memeti.
Sipas tij, nxënëset që përfundojnë arsimin fillor me sukses të shkëlqyeshëm dhe shumë mirë përzgjedhin medresenë për të vijuar arsimin e tyre të mesëm për shkak të kushteve shumë të mira objektive që ofron dhe stafit akademik të shkëlqyeshëm.
“Në medrese nuk flet vetëm arsimi, nuk flet vetëm mësimi, por flet edhe ambient, flasin edhe nxënëset, flasin edhe profesoreshat, pra ambienti në medrese dallon nga të gjitha ambientet tjera pasi është regjistruar në psikologjinë e njerëzve apo të shoqërisë se po u fute në medrese, duhet ti kesh këto kritere. Në ambientet tona të mësimit muret nuk janë të përlyer, bankat nuk janë të gërryera aspak, pastërtia është në nivelin e duhur , janë mbi 200 nxënës që ndjekin mësimet pranë kësaj shkolle, por nuk dëgjohet zhurmë aspak… pra me pak fjalë, në medrese lirisht mund të them se flet i gjithë institucioni që dallon pra nga disa ambiente të tjera. Kjo ka qenë tradicionalisht falë paraardhësve tanë, sepse ne kështu e kemi gjetur këtë institucion, i kemi gjetur institucionet fetare qofshin ato xhamitë, Bashkësinë Islame… që domethënë se atë ambient, atë kulturë atë traditë e kanë mbjellë gjeneratat para nesh të cilëve ne ju jemi shumë mirënjohës”, theksoi ai. Përndryshe, medreseja “Isa Beu” – paralelja e shtrirë e vajzave në Tetovë, është hapur në vitin 2004 dhe deri më tani ka përcjellë 11 gjenerata.
“Megjithatë, edhe përkundër shumë insistimeve që kjo Medrese të akreditohet si shkollë e mesme në kuadër të shtetit, e njëjta ende është në kuadër të BFI-së dhe pas përfundimit të shkollimit, nxënësit e kanë të vështirë të pranohen në të gjitha universitet, ndërsa më të sigurt e kanë pranimin vetëm në fakultetin teologjik. Por, viteve të fundit nxënësit janë pranuar edhe në universitetet tjera falë vullnetit të drejtuesve të këtyre institucioneve, posaçërisht në Universitetin e Tetovës”, thekson më tej Memeti. (koha.mk)