Shkup, 24 shtator – Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov në konferencën e sotme për shtyp me videoprezentim e paralajmëroi fillimin e procedurës për projektimin e ndërhyrjes kapitale ndërtimore “Tunelet nën Kala”.
“Qëllimi i Qytetit të Shkupit me këtë projekt është që ta lidh bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit” me Rrugën e Plastikave në Çair. Bulevardi do të ndërtohet në lartësi prej gjashtë deri në nëntë metra. Më pas, nga ndërtesa e Qeverisë komunikacioni do të zhvillohet nëpër urën e re përmes lumit Vardar e cila do të jetë e gjatë 173 metra, ndërsa e gjerë 20 metra dhe do t’i ketë katër korsi komunikacioni. Ura do të vazhdojë si viadukt i gjatë 262 metra deri në hyrjen e tunelit nën Kala”, tha Shilegov.
Theksoi se Shkupi për herë të parë do të ketë tunel me gjatësi prej 250 metrash, ndërsa me gjerësi prej 20 metrash. Nga tuneli komunikacioni do të vazhdojë në rrethrrotullim prej pesë metrash i vendosur mbi Rrugën e Plastikave.
Me këtë projekt Qyteti i Shkupit e formon unazën e dytë të komunikacionit në metropol. Kjo do të mundësojë hyrje dhe dalje të shpejtë të automjeteve nga qendra dhe nga ana veriore e qytetit. Rutën do ta shfrytëzojnë edhe autobusët e transportit publik.
“Me tunele nëntokësore nën Kala dhe me urë të re mbi lumin Vardar i bashkojmë të dyja anët e Shkupit. Një pjesë e madhe e magjistraleve të planifikuara transitore dhe të qytetit nuk janë realizuar, që paraqet vështirësi serioze për zhvillimin normal të komunikacionit. Vazhdimi i bulevardit “Shën Klimenti i Ohrit”, me urë mbi lumin Vardar, me tunel nën Kalanë e Shkupit dhe lidhjen me bulevardin “Nikolla Karev” (Rruga e Plastikave” do ta rrisë mobilitetin dhe qarkullimin e automjeteve dhe do të ketë efekte pozitive ekologjike nga emetimi i zvogëluar i gazrave dhe zhurmës”, tha Shilegov.
Sipas disa analizave të caktuara, çdo ditë në urën “Goce Dellçev” transitojnë prej 80 deri në 90 mijë automjete. Me këtë zgjidhje do të lirohet komunikacioni i stërngarkuar në pjesën perëndimore të rajonit të Qytetit. Boshti jug-perëndim do të bëhet më funksional, ndërsa pritet një pjesë e madhe e automjeteve të cilat transitojnë drejt pjesëve veriore të qytetit të lëvizin nëpër aksin e sapondërtuar.
Shilegov sqaroi se ekziston mundësia për zbatimin e kësaj rruge me faza. Faza e parë – bulevardi “Shën Klimenti i Ohrit” prej para udhëkryqit me bulevardin “Ilinden” me ndërtimin e urës dhe viaduktit pranë tunelit, faza e dytë – tuneli si i veçantë dhe faza e tretë – bulevardi “Shën Klimenti i Ohrit” dhe udhëkryqi me bulevardin “Nikolla Karev”.
“Me projektin “Tunelet nën Kala” i japim fund tollovisë dhe trafikut të madh në komunikacionin e rajonit qendror të qytetit. E lirojmë nga stërgarkimi komunikacionin në Bit Pazar, Cvetan Dimov dhe në urën “Goce Dellçev”. Deri tek destinacioni i dëshiruar do të arrihet për të paktën pesë deri në 20 minuta. Kjo kontribuon për kursimin e kohës dhe karburantit, ndërsa vëllimi i zvogëluar i komunikacionit kontribuon për ajër më të pastër në Shkup”, theksoi Shilegov.