Nga Komuna e Tetovës thonë se procedura për furnizime publike për pastrimin e lumenjve ka përfunduar dhe tashmë kompanitë kanë filluar me punët në teren. Sipas informacioneve dhe kontratës së nënshkruar në vlerën prej 5 milion euro janë përfshirë katër shtretër të lumenjve në territorin e komunës së Tetovës edhe atë lumi në Reçicë të Madhe, lumi në Shipkovicë, lumi Shkumbin dhe lumi në fshatin Poroj
Urim HASIPI
Tetovë, 25 shkurt – Këtyre ditëve ka filluar pastrimi i shtratit të lumit në fshatin Poroj. Me përmirësimin e kushteve klimatike, tashmë gati se një javë është duke u pastruar Lumi në këtë fshat, që kohëve të fundit ka shkaktuar shumë probleme sidomos gjatë vërshimeve të viteve 2015 dhe 2017, shkruan gzeta KOHA. Nga Sektori për tokë ndërtimore thonë se pastrimi ka filluar në pjesën e poshtme të rrjedhës së lumit të fshatit Poroj, ndërsa prej ditës së hënë pastrimi ka filluar edhe në pjesën e sipërme të fshatit që është e stërmbushur me gurë, rërë dhe baltë që i sjellë uji nga fshati Xhermë. Banorët e fshatit Poroj, një kohë të gjatë kërkojnë ndërtimin e digave dhe jo vetëm pastrimin e shtratit.
“Atëherë neve na premtuan se do të rregullojnë në tërësi shtratin e lumit në fshat, ndërsa në pjesën sipër fshatit, në shtratin e lumit, premtuan se do të ndërtojnë diga për parandalimin e ndonjë katastrofe edhe më të madhe që mund të ndodhë”, thonë banorët e fshatit Poroj. Zanafilla e vërshimeve në lumin e Porojit është në bjeshkët mbi fshatin Gjermë të Tetovës. Banorët e fshatit Gjermë shprehën se problemi i vërshimeve në fshatin e tyre dhe më pas edhe në Poroj është në lumin që kalon në këtë fshat. Burimi i tërë këtij rreziku është në lumin e quajtur “Uji i Shpejtë”, prej nga uji bart me vete gjithçka që i del përpara dhe i sjell poshtë në fshatin Poroj. Nga Komuna e Tetovës thonë se procedura për furnizime publike për pastrimin e lumenjve ka përfunduar dhe tashmë kompanitë kanë filluar me punët në teren.
“Vendimi për shpalljen e furnizimit publik për pastrimin e shtretërve të lumenjve edhe atë të lumit Shkumbin, lumenjve në fshatrat Reçicë e Madhe, Shipkovicë si dhe lumin në fshatin Poroj ishte hapur në fund të vitit të kaluar. Kështu, sipas këtij vendimi nga buxheti i Komunës janë ndarë 5 milion denarë që janë paraparë për pastrimin e shtretërve të lumenjve, ndërkohë që në procedurë e sipër është dhe plani aksional mbi rregullimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjve për të cilin plan janë ndarë mjete nga Ministria e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinor për Komunën e Tetovës në vlerë prej 5 milion denarë por që sipas vendimit të ministrisë ky plan aksional pritet të fillojë realizimin kur edhe është paraparë pastrimi i shtretërve të lumenjve në mbarë vendin”, deklaroi Arsim Nuredini nga Komuna e Tetovës.
Sipas informacioneve dhe kontratës së nënshkruar në vlerën prej 5 milion denarë janë përfshirë katër shtretër të lumenjve në territorin e Komunës së Tetovës edhe atë lumi në Reçicë të Madhe, lumi në Shipkovicë, lumi Shkumbin dhe lumi në fshatin Poroj. Sipas Arsim Nuredinit nga Sektori për tokë ndërtimore, gjendja momentale në lumin Shkumbin është e vështirë, për shkak se gjerësia e tij është deri në 6 metra dhe është ngushtuar për shkak të hedhjes së mbeturinave të shumta, bërllok, mbeturina të materialeve ndërtimore dhe hedhje të mbetjeve të amvisërive dhe mobileve.
“Krahas kësaj, përgjatë lumit vërehen edhe deponi të vogla të egra që janë krijuar nga hedhja e mbeturinave, prandaj edhe këta do të përfshihen në pastrimin e të njëjtave”, tha Nuredini. Lidhur me gjendjen në lumin e fshatit Reçicë të Madhe, ai tha se në këtë pjesë lumi ka sjellë me vete baltë, ambalazhe të plastikës dhe materiale ndërtimore. Krahas kësaj, po ashtu ka edhe mbetje komunale në të dy brigjet e lumit, të cilat përfshihen në pastrimin e shtratit të këtij lumi në këtë periudhë. (koha.mk)