Në bisedën telefonike që patëm me kryetarin e shoqatës “Dibra” në Nju Jork, Dashnor Miftari, u informuam se mërgimtarët dibranë janë dhe gjithmonë do të jenë të gatshëm të japin kontribut në këtë sferë, me që siguria e pushuesve duhet të jetë e madhe në çdo moment
Vjollca SADIKU
Dibër, 5 korrik – Edhe pse jetojmë në kushte të pandemisë, interesimi për tu freskuar në Liqenin e Dibrës nga ana e të rinjve dibran është i madh. Duke marrë parasysh këtë situatë, nga dje në bregun e liqenit në lokacionet e plazhit është vendosur edhe ekipi i shpëtimtarëve. Numri i pushuese tani është i madh meqë temperaturat janë në kontinuitet mbi 30 gradë celsius. Edhe ketë verë shpëtimtarët i ka siguruar shoqata Atdhetare “Dibra” me seli në Nju Jork në bashkëpunim me organizatën e Kryqit të Kuq në Dibër. Ky aktivitet realizohet tani më tre vite me radhë dhe siguria e pushuesve është në nivel të lartë.
Në bisedën telefonike që patëm me kryetarin e shoqatës “Dibra” në Nju Jork, Dashnor Miftari, u informuam se mërgimtarët dibranë janë dhe gjithmonë do të jenë të gatshëm të japin kontribut në këtë sferë, me që siguria e pushuesve duhet të jetë e madhe në çdo moment. Miftari shton se duke pasur parasysh rëndësinë e prezencës të ekipit të shpëtimtarëve në bregun e liqenit të Dibrës, si dhe punën e shkëlqyer në tre vitet e kaluara nga shpëtimtarët, edhe sivjet ky aktivitet vazhdon dhe mjetet për shpëtimtarët i siguron shoqata e mërgimtarëve dibran në Amerikë.
“Për arsye se fluksi në këtë sezon nuk do të jetë si në vitet e kaluara, ekipi i shpëtimtarëve megjithatë do të jetë i reduktuar. Edhe sivjet kemi bashkëpunim me organizatën humanitare të Kryqit të Kuq të Dibrës, i cili paraprakisht ka bërë edhe trajnimin e shpëtimtarëve”, theksoi Miftari. Para tre vitesh u formua ekipi i shpëtimtarëve profesionist, që ndoqën kurs intensiv tetëditor, në teori dhe praktik nga trajnerë të specializuar të Federatës së Shpëtimtarëve Ndërkombëtar për ujëra të hapura. Falë bashkëpunimit me shoqatat që veprojnë në qytetin e Dibrës, e që ishin të gatshëm të realizohet ky projekt, u arrit të formohet ekipi prej pesë shpëtimtarësh të licencuar nga trajner profesionist nga Kryqi i Kuq.
Ekipi i shpëtimtarëve garanton siguri maksimale në sipërfaqe uji prej 2200 m2 dhe të njëjtën madhësi edhe pjesën e bregut, për të cilën po të njëjtët kanë marrë trajnimin për dhënien e ndihmës së parë deri në momentin e mbërritjes të ambulancës. Ekipi i shpëtimtarëve gjatë tre viteve të kaluara kanë treguar shumë sukses në mbrojtjen e dibranëve gjatë rekreimit në liqen. Ata, me angazhimin dhe guximin që treguan gjatë gjithë sezonit veror ishin të gatshëm dhe të kujdesshëm për të parandaluar rreziqet për fëmijët, si dhe për gjithë pushuesit në liqenin e Dibrës. Vitin e kaluar u dhanë edhe jelek mbrojtës për not shumë fëmijëve që rekreoheshin në bregun e Liqenit të Dibrës me qëllim që të jenë sa më të mbrojtur në ujërat e këtij liqeni. Përndryshe, në Liqenin e Dibrës gjatë viteve të kaluara ka patur, për fat të keq, shumë viktima. (koha.mk)