Shkup, 21 nëntor – Në mesnatë zyrtarisht ka startuar fushata e partive dhe koalicioneve, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor. Fushata zgjedhore do të zgjatë 20 ditë dhe do të përfundojë më 9 dhjetor në mesnatë. Në zgjedhjet e parakohshme marrin pjesë 11 subjekte politike: gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista të kandidatëve. Aktivitetet zgjedhore zyrtarisht partitë i fillojnë sonte edhe atë Bashkimi Demokratik për Integrim në Likovë, PDSH në Studeniçan, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE do të ketë miting në Ohër, Koalicioni i kryesuar nga LSDM do të ketë tubim në Prilep… Në Listën zgjedhore për zgjedhjet e dhjetorit janë regjistruar gjithsej 1.784.524 qytetarë me të drejtë vote. Në Njësinë e parë zgjedhore në LZ janë regjistruar 297.813, në të Dytën 308.091, në të Tretën njësi zgjedhore 282.727 votues, në të Katërtën 285.477 votues, në të Pestën 296.223 votues dhe në të Gjashtën njësi zgjedhore 314.193 votues. Njëra nga risitë e këtyre zgjedhjeve është që LZ krahas emrave të votuesve do të përmbajë edhe fotografi të tyre. Për votim në diasporë KSHZ i pranoi paraqitjet e gjithsej 20.629 shtetasve të Maqedonisë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zbatohen në 41 vendvotime në njësinë e shtatë zgjedhore. Më shumë të paraqitur ka në Bern 4.256, në Veneci, 2.724, në Detroit, 1.170, në Nju-Jork, 1.168, në Melburn 1.112 dhe në Romë 1.078 votues. Në Bern do të hapen tre vendvotime shtesë, derisa në Veneci dy. Më shumë të paraqitur kanë në Madrid 10, Pekin 13 dhe në Varshavë 14. Nën numrin rendor një në fletëvotim është Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE, nën numrin rendor dy është Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), tre është Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe numrin rendor katër e tërhoqi Koalicioni i udhëhequr nga LSDM. Nën numrin pesë në fletëvotim do të jetë Koalicioni “Për ndryshime dhe drejtësi-FRODEM”, DEMOS, LD, MORO-RP, në numrin gjashtë do të jetë Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), në shtatë Koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”, tetë Partia Liberale, nëntë VMRO-Për Maqedoni, dhjetë në fletëvotim do të jetë Lëvizja BESA dhe 11 partia politike E Majta.