Mbrëmë në Qendrën për Kulturë në Dibër u hap edicioni i 27-të i Festivalit të folklorit “Oda Dibrane”. Në hapjen solemne rapsodët dibran interpretuan këngë folklorike të vjetra dibrane. Më pas në skenën u paraqitën grupe dhe Ansamble folklorike nga Tirana, Prizreni, Shkupi dhe Mallakastra
Vjollca SADIKU
Dibër, 8 tetor- Mbrëmë në Qendrën për kulturë në Dibër u hap edicioni i 27-të i Festivalit të folklorit “Oda Dibrane”. Hapjen e festivalit e bën kryetarët të dy Dibrave Hekuran Duka dhe Shkëlqim Muraj. Të dy kryetarët theksuan se ky manifestim folklorik edhe sivjet fillon në Dibër të Madhe dhe dy netët në vijim mbahen në Dibrën e Vogël respektivisht në Peshkopi të Shqipërisë. Në hapjen solemne rapsodët dibran interpretuan këngë folklorike të vjetra dibrane. Më pas në skenën u paraqitën grupe dhe Ansamble folklorike nga Tirana, Prizreni, Shkupi dhe Mallakastra. Në prezantimin e tyre erdhi në shprehje folklori i trevave mbarëshqiptare. Të gjithë Ansamblet dhe grupet folklorike u paraqitën me një profesionalizëm që tregoi se folklori shqiptar autentik ka vlera të mëdha. Shpalosja e vlerave në festivalin “Oda dibrane”, prezantoi besën, mençurinë dhe mikpritjen të shqiptarëve në trojet e tyre. Një prezantim dinjitoz kishin rapsodët dibranë vëllezërit Lala, Mislim Satrikcani, Selaudin Radoveshi, Bajram Klloboçishta të cilët u prezantuan me këngë folklorike kushtuar patriotëve dibran dhe traditave dibrane.
Drejtroi i Festivalit Veli Vraniqi theksoi se vitet e fundit ky festival ka filluar të mbahet në të dy Dibrat. Pushtete vendore sipas tij të Dibrës dhe Peshkopisë kanë rënë dakord që nata e parë e festivalit të mbahet në Dibrën e Madhe dhe dy netët e tjera në Peshkopi. Gjatë viteve të kaluara thotë Vraniqi, është grumbulluar një thesar i madh i këngëve dhe traditave nga trojet shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Vraniqi shton se në këtë Festival marrin pjesë 14 grupe dhe Ansamble folklorike nga trevat shqiptare dhe pesë ansamble u prezantuan natën e parë në Dibër.
Në natën e tretë të Festivalit në Peshkopi juria profesionale do të ndajë mirënjohje për Ansamblet dhe grupet më të mira. Anëtari i jurisë nga Maqedonia e Veriut është Jeton Pustina. Ai tha se nata e parë e festivalit prezantoi një folklor të pasur dhe besojmë se edhe dy netët e tjera do të jetë kështu.
Festivali Oda Dibrane ka nisur jetën e tij që në vitin 1994 në Peshkopi, Shqipëri dhe është kthyer tashme në një takim – tradite ku kjo e fundit pasqyrohej në një gjini krejt të veçantë, në atë të këngës dhe valles humoristike, ritit dhe alegorisë. Ky festival ka për qëllim të bashkojë artistë shqiptar ngado që ndodhen, pavarësisht nga kufijtë me idenë që “Oda Dibrane” do të jetë mikpritëse e “Odës Shqiptare”. Ky është një takim origjinal në llojin e vet i cili synon të rizgjojë vlerat e papërsëritshme të kulturës sonë në kuadrin edhe të turizmit kulturor. Në këtë festival paraqiten rite të lashta si dhe vegla karakteristike muzikore mbarëshqiptare. Në ditët e Festivalit zhvillohen gjithashtu edhe biseda të ndryshme, ekspozita fotografike me motive folklorike, ekspozite e arteve figurative te piktoreve dibranë në qytetin e Peshkopisë. (koha.mk)