Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot filloi me distribuimin dhe pranim-dorëzimin e materialit të besueshëm zgjedhor në komisionet zgjedhore komunale (KZK) për zgjedhjet lokale të caktuara për të dielën. Nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor Rexhep Prekopuca i cili sot në mëngjes e vizitoi shtypshkronjën “Poliesterdej” në Vizbeg, prej ku shpërndahet materiali i besueshëm zgjedhor, deklaroi se distribuimi zhvillohet sipas planifikimit dhe deri më tani procesi vijon siç duhet.
“Paraprakisht deri te të gjitha komisionet zgjedhore komunale e kemi shpërndarë edhe materialin jo të besueshëm zgjedhor. Këtu jemi së bashku me pronarin e ndërmarrjes të cilën për herë të parë i ka shtypur fletëvotimet dhe mund të them se ne jemi të kënaqur”, deklaroi Prekopuca.
Pronari i shtypshkronjës “Polijesterdej” Filip Spasovski tha se shtypja e materialit zgjedhor paraqet projekt interesant në të cilin ishin të përfshirë të gjithë 170 të punësuarit në kompani. Ai iu falënderua KSHZ-së për besimin e treguar. Në pajtim me afatin zgjedhor, KSHZ-ja materialin zgjedhor e dorëzon në KZK më së voni në afat prej 72 orëve para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa KZK është i obliguar një ditë para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve ta dorëzojë materialin zgjedhor në këshillet zgjedhore.
Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni janë caktuar për më 15 tetor, ndërsa do të zbatohen në 3.480 vendvotime në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor. Fushata zgjedhore për rrethin e dytë përfundon më 27 tetor në orën 24.00.