Filloi çmontimi i objektit të përkohshëm në çatinë e QTQ

Shkup, 12 tetor – Objekti i përkohshëm në çatinë e Qendrës Tregtare të Qytetit sot filloi të largohet në pajtim me vendimin e kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Me aktivitetet do të bëhet çmontimi i mureve si edhe çmontimi i çatisë dhe konstruksionit prej çeliku në dysheme, kumtuan nga Qyteti i Shkupit.

“Pas reagimit të qytetarëve fillimisht u soll vendim për ndalimin e punimeve në objekt. U morën parasysh opinioni i përgjithshëm dhe profesional edhe pas konsultimeve me Asociacionin e arkitektëve dhe me iniciativë të “E dua QTQ”, Qyteti i Shkupit solli vendim për çmontimin e objektit, ndërsa në vendin e tij do të mbillet barë me aranzhmane të ulëta me lule, në pajtim me projektin ekzistues për “çati të gjelbër” në QTQ”, thuhet në kumtesë.

Në ndërkohë, bëhet fjalë për pjesën tjetër të çatisë. Gjatë javës së ardhshme, siç paralajmërohet, do të fillojë vendosja e shtresës tokësore ndërsa në fund të këtij muaji pritet vendosja e gjelbërimeve të para.