Rruga nga fshati Trebosh për në Tetovë dhe përmes fshatit Xhepçisht që lidhet me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, një kohë të gjatë është në gjendje të mjerueshme. Gropat, çarjet dhe dëmtimet e shumta kanë shkaktuar shumë telashe për drejtuesit e automjeteve që çdo ditë qarkullojnë në këtë rrugë
Urim HASIPI
Tetovë, 16 shtator – Aksi rrugor Tetovë-Trebosh me një gjatësi prej 1340 metrave, më në fund do të rregullohet dhe asfaltohet bashkërisht me trotuarin. Gazeta Koha në vazhdimësi ka raportuar për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet kjo rrugë, dhe më në fund Komunat e Tetovës dhe Zhelinës së bashku me Ministrinë e Pushtetit Lokal vendosën që të asfaltojnë këtë rrugë që është e rëndësie të veçantë. Kjo rrugë është në gjendje të mjerueshme kohëve të fundit për shkak të çarjeve dhe dëmtimeve, ndërsa frekuentohet edhe nga banorët e fshatit Trebosh por edhe të fshatrave Pallaticë dhe Ozormishtë. Në vendngjarje për të shënuar fillimet e punëve kanë marrë pjesë edhe Ministri i Pushtetit Lokal Goran Milevski, kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe kryetari i Komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu. Kryetarja e Komunës së Tetovës tha se ky është një shembull i radhës se si dy komuna marrin pjesë në një projekt për të mirën e qytetarëve. “Ky aks rrugor është në gjatësi prej 1340 metrave dhe ky është rezultat i bashkëpunimit në mes shumë palëve. Në kuadër të Qendrës së Rajonit Planor të Pollogut ne kemi konstatuar se kjo rrugë është shumë e nevojshme për qytetarët e dy komunave, dhe sikur shumë projekte tjera që janë shembull i bashkëpunimit të komunave të Pollogut, edhe ky projekt është rezultat i përkrahjes që kemi nga institucione tjera, si Ministria e Pushtetit Lokal, Drejtoria e Zhvillimit të Barabartë rajonal dhe bashkimi financiar i të gjithë faktorëve, ka dhënë rezultate të mira për qytetarët. Do të vazhdojmë edhe më tej me këto projekte të përbashkëta”, tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu tha se kjo rrugë është karakterit të veçantë sepse shfrytëzohet nga më shumë banorë dhe jo vetëm të dy komunave. “Bisedohet për një rrugë që është pritur nga qytetarët. Që nga fillimi, në takimet në kuadër të Qendrës Rajonale të rajonit të Pollogut dhe me Komunën e Tetovës, pasi që pjesa më e madhe e rrugës i takon atarit të Komunës së Tetovës dhe ramë dakord me kryetaren e Komunës, Teuta Arifi që kjo rrugë të asfaltohet pasi në këtë rrugë nuk kalojnë vetëm banorët e Tetovës dhe Zhelinës por më shumë vendbanimeve, që do të thotë se është një rrugë me karakter më të zgjeruar”, tha Sjediu.
Ministri i Pushtetit Lokal, Goran Milevski tha se ka parë gjendjen e kësaj rruge, e cila ka qenë mjaft e dëmtuar. Sipas tij, ky është një shembull se si dy kryetarë komunash bashkëpunojnë për të mirën e qytetarëve edhe pse vijnë nga dy parti të ndryshme politike. “Ministria e Pushtetit Lokal ka ndihmuar me 8 milion denarë në këtë projekt, Komuna e Zhelinës ka participuar me dy milion denarë, ndërsa një milion denarë ka dhënë Komuna e Tetovës. Sot kishim rastin që të marrim pjesë në përurimin e fillimit të punëve të dy rrugëve që janë të rëndësishme për banorët e Pollogut”, tha ministri Milevski.
Projekti është realizuar përmes Qendrës së Pollogut dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal. Ndryshe, rruga nga fshati Trebosh për në Tetovë dhe përmes fshatit Xhepçisht që lidhet me rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, një kohë të gjatë është në gjendje të mjerueshme. Gropat, çarjet dhe dëmtimet e shumta kanë shkaktuar shumë telashe për drejtuesit e automjeteve që çdo ditë qarkullojnë në këtë rrugë. Ky aks rrugor shfrytëzohet nga banorë edhe të Komunave të Tearcës dhe Jegunocit. (koha.mk)