Shkup, 19 prill – Qyteti i Shkupit i publikoi thirrjet për ndarje të subvencioneve për blerje të biçikletave dhe trotinetëve elektrik në vitin 2021, aplikimi do të zhvillohet onlajn, ndërsa të drejtë të pjesëmarrjes kanë banorët e Qytetit të Shkupit, në komunën Aerodrom, Butel, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Vodë, Saraj, Qendër, Çair dhe Shuto Orizare.
“Qytetarët do të mund të dorëzojnë llogari fiskale për biçikletë të blerë ose trotinet elektrik nga fillimi i vitit, më saktë nga 1 janari i vitit 2021. Mjetet që do t’i subvencionojë Qyteti i Shkupit janë në vlerë prej 50 për qind nga vlera e biçikletës, por jo më shumë se 3.000 denarë për person, dhe 30 për qind nga vlera e trotinetit elektrik, por jo më shumë se 7.000 denarë për person, me tatim personal të të ardhurave të përfshirë. Thirrja do të jetë e hapur deri në harxhimin e mjeteve, ndërsa do të zbatohet sipas parimit “kush vjen i pari – shërbehet i pari”, informon Qyteti i Shkupit.
Në Buxhetin e qytetit të Shkupit për vitin 2021 për subvencione të biçikletave dhe për trotinetë elektrik janë parashikuar dhjetë milion denarë prej të cilave 8,5 milion denarë për biçikleta, ndërsa 1,5 milion denarë për trotinetë elektrik. Sipas mjeteve financiare të parashikuara, Qyteti këtë vit do të ndajë subvencione për rreth 2.800 biçikleta dhe rreth 215 trotinetë elektrik.
Në thirrjen për ndarje të subvencioneve për blerje të biçikletës dhe trotinetëve elektrik qytetarët do të mund të paraqiten në mënyrë elektronike në ueb faqen e Qytetit të Shkupit dhe Shkup lab ose direkt në linqet për subvencione të biçikletave ose trotinetëve.