Valon A. SYLA
U bënë 100 vjet nga Lufta e Parë Botërore, në vitin 2014. Gati se të gjithë akademikët e universiteteve evropiane dhe perëndimore dolën me edicione speciale të librave e punimeve shkencore, duke e dënuar çmendurinë e kësaj lufte, ku vdiqën 17 milionë njerëz dhe rreth 20 milionë u gjymtuan, për të ndryshuar për të keq kufijtë e botës. Gabimet e ‘Luftës së Madhe’ më së miri përshkruhen me kufij katrorë e kënddrejtë në Afrikë, duke i ndarë popujt, sikur në tabelë të shahut. Përderisa për ne shqiptarët ‘Lufta e Madhe’ veç se kishte përfunduar shumë keq dhe ende pa ja nisur mirë. Nga një territor që njihej në katër vilajete, mbeti një Shqipëri gjysmë vilajeti që ju kishte afruar detit, e që harta e saj kishte hy në ujë aq shumë, sa që tkurrej duke i lënë më shumë se gjysmën e shqiptarëve jashtë kufijve. Gabim apo jo, këtë çmenduri të fuqive të mëdha shqiptarët e paguan 100 vjet. Pas 100 vjetëve, fillon rahatimi i shqiptarëve në Ballkan. Bombardime të nxehta flakë, që çliruan tkurrjen e hartës, me liri dhe pavarësi të Kosovës, me një Shqipëri në NATO e cila duket larg nga ajo e vjetra pro ruse dhe pro kineze… Dhe këtu përfundon kthimi i borxhit për shqiptarë, edhe pse ende të tjerë mbeten në Maqedoni dhe në shtete tjera, me të drejta të kufizuara. Fuqitë e Mëdha me këtë mendojnë se e paguan dëmin ndaj shqiptarëve, duke i përmirësuar vendimet pozitivisht dhe duke i pranuar shqiptarët në familjen perëndimore, me idenë se i kanë shkëputur ata nga osmanlinjtë, rusët dhe kinezët. Kjo mund të ju duket e ekzagjeruar, por në sytë e botës shqiptarët dukeshin ose markstistë leninistë e enveristë, ose islamistë otoman, me nuanca pro jugosllave, që të gjithë së bashku reflektonin paqartësi. Këtë duhet ta kuptojmë se si dukeshim ne shqiptarët, pa marrë parasysh nga Kosova a Shqipëria në sytë e një plake në Paris, një oficeri britanik apo të një bankari gjerman. Shqiptarët në një mënyrë apo tjetrën dukeshin lindorë, apo diçka që i takonin lindjes – pra nga ish pro osman, në komunistë pro rus, pro kinezë dhe pro jugosllavë. Shkrim i gjatë për fillim, por historia duhet të mësohet, që të mos përsëritet.
ISIS dhe pro turqit
Viti 1999. Një pare e madhe hyri te shqiptarët, sidomos në Prishtinë. Ishte një injeksion financiar nga perëndimi për të na këndellur nga buka e mangët, çaji i rusit dhe ‘longu’, e që na ndihmoi ta ndalim muzikën e çakorduar të zorrëve që zhurmonte uri për 100 vite. Shqiptarët filluan të ngihen bukë. Të blejnë ka katër a pesë parë këpuca për të shkuar në shkollë, e dy-tri kerre për familje dhe për këtë pa kurrfarë faji dhe me meritë idhujzojnë Amerikën: Walkerin, Clintonin, Blair’in, NATO’në, Robertsonin e Robin Coock’in. Urrenin rusët që hynë pa leje në Aeroportin e Kosovës dhe serbët që iknin nga mëkatet e tyre. Pak a shumë ky ishte një shqiptar i lirë i vitit 1999. Mirënjohës dhe pa dilema me plotë optimizëm për të ardhmen. Viti 2001. Kullat Binjake në New York i shembi terrori islamik. Disa nga ne shqiptarët përpos bukës, filluan të hanë edhe hurme. Me to filloi edhe idhujzimi i fundamentalistëve islamik. Prej atyre që sot njihen si terroristë të ISIS, e deri te ata që i vënë vetit gjithfarë emri, para se të jenë shqiptarë; e me argumentime tashmë identifikohen edhe me Erdoganin edhe me Gylenin e Turqisë që do të sihte supermike po të ishin ‘pro Ataturkët në fuqi’. Por kjo simpati kundër Turqisë mike vjen me simpatinë e Erdoganit, që mbështetet nga kleri islamik kosovarë, dogma islamike që po çmendë botën, dhe natyrisht e ëmbëlsuar me hurmat e tyre. Për ISIS u pa çfarë kreativiteti terrorist tregoi në Lindje të Mesme dhe me bombardime në qendrat europiane. Ndërsa Turqia, edhe pse mik i shqiptarëve është në zor nga Erdogani, i cili vendos ligje pro dhunuesve të grave, të frustruar seksualisht duke i shpërblyer me të drejtën t’i martojnë dhe mos ti dënojnë dhunuesit kriminelë. Çmenduria brirë s’ka, diçka kështu duket. Por tashti ka dalë në pah e po shihet më mirë, por sheqeri i hurmave dikujt ja ka verbuar sytë.
Brexit dhe studenti kosovar
Ndodhi edhe ‘Berxit’. Ishullnarët vendosën t’i kthehen ishullit të tyre dhe e lanë Evropën në mëshirën e gjermanëve, të cilët tashmë francezët po i përgjigjen me ‘La Paena’, që janë diçka të afërt sikur ‘Sheshelat’ e Serbisë, që njihen mirë te ne. Vërhet barikadim kudo. Mure dhe izolim. Panik nga terroristët e hurmave edhe në Paris edhe në Berlin. Por si përkthehet kjo te shqiptari i vitit 2016 i kohës së ‘Brexit’. Një i ri nga Kosova që ka studiuar integrime evropiane, që për referencë kulturore e ka Londrën, muzikën e tyre, humorin anglez, e në zemër i ka parashutistët dhe ‘gurkat’ që e çliruan në vitin 1999. Kah t’ja mbajë ai i gjori? Kundër BE-së, apo me Londrën? A nuk ishte deri dje për të Londra dhe Berlini i njëjti koncept. Ky populizëm vetjak britanik i ka hutuar ‘më të mirët e kosovarëve’ të cilët besojnë në BE dhe në NATO, pa dilemë. A po rrezikohen ata që të polarizohen me ide vetjake etnike shqiptare, apo të futen aventurave të tipit ‘e din anglezi më mirë’ pse nuk bënë Evropa dhe i futet rrugëve nacionaliste dhe dezintegruese evropiane, që vetëm gëzojnë ‘dostat’ e vjetër e të ri të Enver Hoxhës, brenda e jashtë dhe vendit, si rusët, pro ruset dhe kinezët.
Trump dhe fanatiku pro amerikan
Nëse diku në botë ekzistojnë dogmatistë Amerikanë, ai vend është Kosova. As ISIS’i, as Erdogani, as Britania bashkë me ta, nuk ka mjaftë militantë e ‘vahabi’ sa ka të themi kushtimisht ‘vahabi pro amerikanë’ në Kosovë. Ata që janë në gjendje edhe të luftojnë besnikërisht e vullnetarisht për Amerikën, më shumë se që luftuan për Otomanët e Romakët gjatë historisë. Këta fanatikë kosovarë janë në gjendje ta ruajnë Ambasadën Amerikane më shumë se shtetin e tyre të ri. Por janë të hutuar nga deklaratat e liderëve dhe mediave vendore dhe ndërkombëtare. Ata janë shtangur të hutuar dhe të frikësuar, sepse nuk do të ju prijë as gruaja e Clintonëve që i nisi bombardimet më 1999, as ndonjë nga Bushët që shpallën dhe njohën Pavarësinë e Kosovës. Të gjithë miqtë e tyre humbën zgjedhjet në Amerikë. Atyre po ju prinë një Donald Trump, i panjohur fortë dhe pa lidhje personale me shqiptarë, i cili po kërkon të ndërtojë mure me Meksikë dhe ti dëbojë islamikët dhe emigrantët nga vendi. Por ky fanatiku pro amerikan, çka të mendoj ky? Kujt t’i ndërtoj mure e kë ta përzë nga Kosova. Ai patjetër do ta ketë referencë Amerikën, ai patjetër do diçka të kopjojë nga Amerika e ‘ndryshuar’ pas fitores së Trump. Por do të ketë dilema dhe ide jo fort të favorshme për vendin e vet. A nuk ishte Amerika ajo që e shtyri fanatikun proamerikan ta falë flamurin me shqiponjë me një flamur të territorit të Kosovës që tash e do shumë dhe nuk do që ta humb. A do ti falë 20 vende për pakicat në parlamentin e Kosovës, apo ai do të bëhet nga një fanatik pro amerikan në një fanatik pro Trump dhe të nxitë urrejtje ndaj të tjerëve në Kosovë, ndaj serbëve, maqedonëve, malazezëve, romëve… dhe grupeve të margjinalizuara. Kah t’ia mbajë ky kosovar pro amerikan? Sigurisht se kosovarë të tillë kanë bazë urrejtje më të madhe dhe më valide se amerikanët e bardhë para pensionit që për inati të establishmentit dhe monopoleve atje votuan Trump’in për President.
Për fund
Krejt këto ngjarje, kjo valë e çmendurisë së këtij fillim shekulli a do ta çmendin edhe kosovarin e vogël. A do të kthehemi të brohorasim pro Erdoganit dhe ligjeve pro përdhunimit, apo si Britania me politika vetjake anti BE, apo si Trump’i të vendosim mure dhe t’i etiketojmë e përzëmë të voglit tanë? Apo do të dalin në pah të çmendurit nga historia jonë ish otomanët pro turk, enveristët pro rusë, apo socialistët pro jugosllavë. Prej të gjitha këtyre jemi të shumë të lëndueshëm, posaçërisht si një popull i vogël evropian. Dhe shpejt duhet t’i pimë ilaçet kundër kësaj çmendurie. Është më shëndosh, se sa të pimë çaj rusi… përsëri. (Gazeta Metro)