“Përkundër përdorimit të librave shkollorë të miratuar, është konstatuar se në disa organizata edukative-arsimore, arsimtarë dhe nxënës të caktuar nga shkollimi i mesëm përdorin edhe libra shkollorë dhe doracakë që nuk kanë marrë miratim për përdorim në Republikën tonë. Ato kryesisht janë, botime të shtëpive botuese nga Prishtina (Teoria e Letërsisë nga Gani Luboteni dhe Historia e Letërsisë, Antologjia, Letërsia Botërore, Gramatika dhe Teoria e Letërsisë nga Sterio Spase), si dhe doracakë, të botuar në RPS të Shqipërisë, ndërsa të ribotuar në KSA të Kosovës”
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Ligji për arsimin e lartë parasheh procedurë të veçantë për përgatitjen, miratimin dhe verifikimin e planeve dhe të programeve mësimore në organizatat e larta arsimore. Para sjelljes së planit dhe të programit mësimor organizata arsimore e lartë është e obliguar të kërkoj mendim nga organizatat e punës së bashkuar dhe nga organizatat e organet tjera për nevojat e të cilave kryesisht përgatit kuadër dhe e harmonizon me nevojat e tyre. Kuvendi i bashkësisë vetëqeverisëse përkatëse jep pëlqim për planet mësimore. Në përputhje me procedurën e paraparë, në Akademinë Pedagogjike në Shkup, përkatësisht në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë Fakultetit Filologjik janë sjellur planet dhe programet mësimore dhe është vërejtur për sa më poshtë vijon:
- a) Ekzistojnë dallime në raport me përfaqësimit të lëndëve në programet mësimore për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe për gjuhë maqedonase dhe gjuhë serbo-kroate. Në planin mësimor të grupit për gjuhë dhe letërsi shqipe mësohet lënda letërsia e kombeve të RSFJ-së në semestrin e III e të IV me 4 orë në javë, ndërsa në planin mësimor në grupin gjuhë maqedonase dhe gjuhë serbo-kroate mësohet lënda letërsia e kombeve e kombësive në RSFJ. Në këtë grup mësohet edhe lënda letërsia për fëmijët dhe rininë e kombeve e kombësive në RSFJ në semestrin e III dhe të IV me 4 orë në javë, ndërsa në grupin për gjuhë dhe letërsi shqipe mësohet lënda letërsia për fëmijë në semestrin e III dhe të IV me 2 orë në javë.
- b) Me përfundimin e studimeve të grupit gjuhë shqipe dhe gjuhë maqedonase në Akademinë Pedagogjike, kandidatët e diplomuar mund të punësohen vetëm në shkollat me mësim në gjuhën shqipe, që kjo në praktikë shkakton implikime të padëshirueshme. Kjo për shkak se, ekzistzimi i një profili të tillë të kuadrit sjell deri te një kufizim i caktuar të të drejtave dhe mundësive për punësim të arsimtarëve – maqedonas për gjuhën maqedonase në këto shkolla.
- c) Në grupin studimor arsimoro-shkencor për gjuhë dhe letërsi shqipe (njëlëndore) në Fakultetin Filologjik, më herët nuk mësohej letërsia e kombeve dhe kombësive në RSFJ. Me planet mësimore të reja nga viti 1977/78 është futur lënda Letërsia e kombeve në RSFJ në vitin e II dhe të III me 3 orë në javë, ndërsa Letërsia e kombësive nuk është parapa në planet mësimore.
Studentët të cilët përcaktohen për të studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe, si grup dylëndor, ku gjuha shqipe është lënda kryesore (shqip dhe frengjisht), gjatë tërë studimit nuk e mësojnë letërsinë e kombeve e kombësive jugosllave, edhe pse ajo duhet të mësohet në arsimin e mesëm, përkatësish në atë fillor. Në Akademinë Pedagogjike programet mësimore për gjuhë dhe letërsi shqipe, në thelb janë konceptuar dhe burojnë nga programet mësimore për shkollimin fillor, që kjo nuk është rasti me programet mësimore për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filologjik, ku vërehet devijim i konsiderueshëm nga programet mësimore në shkollimin e mesëm, që kjo veçanërisht u përket përmbajtjeve nga letërsia jugosllave dhe botërore. Në programet mësimore për këtë lëndë nuk janë kryer analiza përmbajtësore, mirëpo, nga inspektimi i tyre shihet se konstatimet e dhëna në këtë material për programet mësimore në lëndët gjuhë dhe letërsi shqipe në arsimin fillor e të mesëm u përkasin edhe këtyre programeve. Pra, edhe në këto programe vërehet përfaqësimi i madh i veprave të autorëve nga RPS e Shqipërisë në raport me veprat nga pjesëtarët e kombësisë shqiptare në vendin tonë, si dhe nga letërsia e kombeve dhe kombësive tjera në RSFJ.
SITUATA ME LIBRAT SHKOLLORË – LIBRAT PËR GJUHË DHE LETËRSI SHQIPE
Viteve të kaluara në Republikën tonë i është kushtuar vëmendja e madhe në sigurimin e librave shkollore me mësim në gjuhën shqipe dhe gjuhën turke. Si rezultat i kujdesit dhe përpjekjes së vazhdueshme të bashkësisë shoqërore dhe angazhimit të organizatave botuese, sot librat për arsimin fillor nga kombësia shqiptare thuajse janë siguruar për të gjitha lëndët mësimore, në përjashtim të edukatës muzikore nga klasa e V-VII (librat që janë në përdorim janë marrë nga Prishtina dhe të njëjtat janë miratuar), ndërsa në shtyp është gramatika për klasën e VIII. Libra në gjuhën shqipe janë të siguruar për të gjitha lëndët mësimore që mësohen nëpër gjimnaze, me përjashtim të librave për gjuhë e letërsi shqipe, ndërsa nxënësit e kombësisë shqiptare të cilët janë përfshi në arsimin e orientuar libra në gjuhën shqipe posedojnë vetëm për lëndët për arsimin e përgjithshëm. Problemi i librave për lëndët profesionale është aktuale edhe për mësimin në gjuhën maqedonase.
Librat shkollor në gjuhën shqipe që përdoren në organizatat për arsimin fillor e të mesëm në Republikën tonë janë botuar në OPPB (Organizata Punuese e Punës së Bashkuar – Q.L.) për botimin e librave ‘Prosvetno Dello’ nga Shkupi, në përjashtim të librave për letërsi dhe të gramatikës së gjuhës shqipe për vitin e I e të II që janë miratuar për përdorim edhe në Republikën tonë, ndërsa janë botuar në Entin Krahinor për botimin e librave shkollorë dhe doracakëve të KSA të Kosovës. Librat në gjuhën shqipe që janë botuar nga “Prosvetno Dello” – Shkup, në përjashtim të librave të leximit (nga klasa e I-VIII) dhe gramatikave (nga klasa e III-VIII), janë përkthim i librave që përdoren në mësimin e gjuhës mësimore maqedonase.
Mirëpo, përkundër përdorimit të librave shkollorë të miratuar, është konstatuar se në disa organizata edukative-arsimore, arsimtarë dhe nxënës të caktuar nga shkollimi i mesëm përdorin edhe libra shkollorë dhe doracakë që nuk kanë marrë miratim për përdorim në Republikën tonë. Ato kryesisht janë, botime të shtëpive botuese nga Prishtina (Teoria e Letërsisë nga Gani Luboteni dhe Historia e Letërsisë, Antologjia, Letërsia Botërore, Gramatika dhe Teoria e Letërsisë nga Sterio Spase), si dhe doracakë, të botuar në RPS të Shqipërisë, ndërsa të ribotuar në KSA të Kosovës. Përveç kësaj inspektimi arsimor ka konstatuar se në shkolla të caktuara fillore e të mesme, kryesisht, në zonat e komunave Tetovë, Gostivar e Kumanovë, janë përdorur edhe libra tjerë shkollorë të cilat nuk kan marrë miratim për përdorim në Republikën tonë. Ato janë: Historia për vitin e I të arsimit të mesëm nga Dr. Ali Hadri, botuar në vitin 1967 në Prishtinë, Patologjia për vitin e II për shkollat mjekësore nga doc. Bedri P. – Dr. S. Subashi, botuar në vitin 1970 në Tiranë, dhe Historia e Letërsisë Shqipe nga viti i I -IV të arsimit të mesëm nga Dhimitër Shuteriqi nga RPS e Shqipërisë, të ribotuar në vitin 1972 në Prishtinë. Për përdorim të përkohshëm ngelin Gramatika e gjuhës shqipe nga Shaban Demiraj nga RPS e Shqipërisë, ndërsa e ribotuar në Prishtinë në vitet 1967 dhe 1969, Gramatika për klasën e VIII nga Isa Bajçinca nga KSA e Kosovës, botuar në Prishtinë në vitin 1975 dhe Edukata Muzikore për klasë të VII e të VIII nga Akil Koci nga KSA e Kosovës botuar në vitin 1971 në Prishtinë. Këto libra shkollorë do të zëvendësohen me libra shkollorë tanë pas botimit të tyre nga OPPB ‘Prosvetno Dello’ Shkup. Nga analiza e kryer të librave të leximit për gjuhë shqipe është konstatuar si më poshtë vijon:
– Thuajse në të gjitha librat e leximit ekziston një jopërputhshmëri e dukshme në përfaqësimin e teksteve. Kështu, nga numri i përgjithshëm i teksteve, në të gjitha librat e leximit, 31,7% u takojnë autorëve nga kombësia shqiptare, 21,84% autorëve nga RPS e Shqipërisë, 22,10% autorëve maqedonas dhe autorëve të kombeve e kombësive tjera të RSF Jugosllavisë, një pjesë e teksteve i përkasin letërsisë botërore dhe asaj popullore, ndërsa numër shumë i vogël (0,9%) të teksteve janë nga autorë të kombësisë turke. Nga të dhënat e mësipërme shihet qartë se favorizohen pa nevojë tekstet nga autorët që shkruajnë në gjuhën shqipe nga RPS e Shqipërisë krahasuar me tekstet nga autorë shqiptarë në RSFJ dhe RSM.
– Përveç kësaj, në librat e leximit ka tekste të cilat nuk do të mund të duronin kritikë pedagogjike e letrare nëse paraprakisht merren parasysh detyrat esenciale të ideologjisë së mësimdhënies. Në librat e leximit janë përfaqësuar edhe tekste të autorëve nga RPS e Shqipërisë (Ismail Kadare dhe Dritoro Agolli).
Nga inspektimi i kryer shihet se nga aspekti edukativo-ideologjik janë të papërshtatshme tekstet: “T’i je djali im” nga D. Agolli nga libri i leximit për klasë të V, “Nëna” nga I. Kadare dhe “Zjarret” nga D. Agolli nga libri i leximit për klasë të VII, “Gjenerali dhe prifti i huaj”, “Duke kërkuar ujë” dhe “Qyteti në Jug” nga I. Kadare dhe “Vrasja” nga D. Agolli nga libri i leximit për klasë të VIII. Në librat shkollorë për letërsi për vitin e I e të II të arsimit të mesëm gjithashtu janë lejuar, dobësi dhe mangësi të caktuar. Volumi i përmbajtjes së këtyre librave shkollorë i shmanget dukshëm programit për gjuhë dhe letërsi shqipe që realizohet në Republikën tonë. Edhe në këto libra shkollorë shkohet në përpunimin e ekzagjeruar të letërsisë shqipe, ndërsa në mënyrë të pamjaftueshme janë përfaqësuar tekstet nga letërsia botërore e jugosllave, sipas kërkesës së programit mësimor. Lëshime të ngjashme ka edhe në librat shkollorë për gramatikën në gjuhën shqipe që përdoren në arsimin e mesëm.
Përveç lëshimeve, që shihen në disa libra shkollorë, është konstatuar se edhe te një pjesë e literaturës beletristike në gjuhën shqipe mungojnë parathëniet dhe pasthëniet e domosdoshme. Kjo mungesë te nxënësit krijon vështirësi gjatë leximit dhe kuptimit të përmbajtjes dhe porosive ideologjike.
LIBRA SHKOLLORË NË GJUHËN SHQIPE PËR LËNDËN E HISTORISË
Në organizatat për arsimin fillor e të mesëm në Republikën tonë, për nxënësit të cilët mësojnë në gjuhën shqipe janë botuar 8 libra të historisë, 4 nga klasa e V-VIII të arsimit fillor dhe 4 për gjimnazet. Ato paraqesin përkthime të librave të historisë që përdoren në mësimin e gjuhës mësimore maqedonase, me atë specifikë që në to janë përpunuar edhe përmbajtjet programore që janë paraparë si plotësuese (u përkasin historisë së kombësisë shqiptare) për klasa dhe vite të caktuara në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën mësimore shqipe. Librat shkollorë për vitin e I e të II të shkollave profesionale nuk janë të përkthyera në gjuhë shqipe. Aneksi i paraparë për vitin e IV të gjimnazit nuk është përpunuar në librin në gjuhën shqipe. Përkthimi i librave shkollorë janë kryer nga persona profesional adekuat me redaktimin profesional të domosdoshëm pas kryerjes së përkthimit. Përmbajtjet nga historia e kombësisë shqiptare për arsimin fillor janë përpunuar nga autorët e librave shkollorë, ndërsa librat shkollorë për arsimin e mesëm nga autorë shqiptarë. Tekstet plotësuese, të shkruara sipas aneksit, kanë qenë në shqyrtim edhe te autorët e librave shkollorë.
Mirëpo, edhe në librat shkollorë të historisë për klasa e vite të caktuara janë konstatuar disa lëshime, prej të cilave, si më karakteristike janë për sa më poshtë vijon:
- a) Gjatë përpunimit të përmbajtjes nga historia e kombësisë shqiptare nuk i është dhënë hapësirë e mjaftueshme jetesës së përbashkët dhe luftës së kombit maqedonas dhe shqiptarëve që kanë jetuar në këtë pjesë të Ballkanit (në mënyrë të pamjaftueshme janë theksuar ndikimet e ndërsjella ndërmjet sllavëve dhe ilirëve pas vendosjes së sllavëve në Ballkan (viti i I), nuk flitet për bashkëpunimin të maqedonasve dhe shqiptarëve nga qarku i Durrësit në kohën e Petar Delanit dhe Gjorgji Vojteksit (viti i I), ngjarjet rreth principatave shqiptare pas vdekjes së car Dushanit – nuk lidhen me historinë e kombit maqedonas dhe me kombet tjera jugosllave (viti i II), nuk është zbardhur dhe përpunuar pjesëmarrja e maqedonasve në luftën e Skënderbeut, në lidhje me rezistencën e feudalëve shqiptarë nuk përmendet kombi maqedonas, por përdoret emri Maqedoni si term gjeografik (viti i II), në përmbajtjet për periudhën e Ilindenit nuk flitet për Manifestin e Krushevës për të parë qëndrimin vëllazëror të maqedonasve ndaj shqiptarëve, turqve, vllehëve dhe kombësive tjera që e kanë dashur lirinë e Maqedonisë (viti i III).
- b) Personalitete dhe ngjarje të caktuara nga historia e kombit shqiptar glorifikohen së tepërmi (sundimi i Ali Pashë Janinës (viti i II), veprimtaria e Lidhjes Shqiptare (viti i III), kryengritjet e shqiptarëve nga vitet 1909-1912 kundër regjimit Xhonturk (viti i III), shkruhet me glorifikim të tepruar për feudalët shqiptarë, në vend se të vihet në pah roli i masave popullore (viti i II);
- c) Ekziston shtrembërim ndaj së vërtetës historike dhe komentim jomarksist të ngjarjeve të caktuara në përpunimin e disa përmbajtjeve (sllavët maqedonas nuk janë pushtuar në shekullin VII por në shekullin IX, Durrësi në kohën e car Dushanit nuk ka qenë nën pushtetin e tij, të hulumtohet se a thua në Italinë Jugore janë shpërngulur 200.000 shqiptarë pas ardhjes së turqve, Ali Pashë Janina nuk e mori tërë Maqedoninë por vetëm një pjesë të saj.
ç) Roli i religjionit dhe i kishës nga e kaluara historike është paraqitur në mënyrë të pamjaftueshme, në përgjithësi, e në përmbajtjet aneksore në veçanti, ku në momentin e dhënë kanë qenë pengesë më e fuqishme për luftën e përbashkët të kombeve e kombësive të robëruar kundër klasës sunduese, për çka te nxënësit nuk mund të realizohet në tërësi edukimi ateist.
Krahas librave shkollorë, në mësimin e lëndës së historisë në gjuhën mësimore shqipe në edukimin dhe arsimin fillor – përdoren edhe libra leximi historik, ndërsa ato nuk janë përkthyer për arsimin e mesëm. Në to konstatohen lëshime e mangësi të caktuar, për shembull: ekzistojnë tekste me përmbajtje të tyre abstrakte, vështirë të kuptueshme dhe jo mjaft impresionuese, nuk është i mjaftueshëm numri i teksteve që u përkasin unitetit, luftës së përbashkët të kombeve e kombësive tona, LNÇ-së dhe revolucionit socialist si dhe për periudhën e pas luftës….”. (fund)