Masa të ngjashme si në Kosovë, madje edhe më të ashpra u ndërmorën edhe në RS të Maqedonisë, veçmas në sferën e arsimit e të kulturës shqiptare. Në konkluzionin që Kuvendi i RS të Maqedonisë, e miratoi më datë 27 maj 1981, ndër të tjerave thuhej: “Kuvendi vë në dukje edhe për nevojën e rishqyrtimit të plotë të atyre plan-programeve dhe të librave nga aspekti ideor e edukativ dhe për situatën në historiografi”
Nga Qerim LITA
Nëse do të merrej për bazë se demonstratat shqiptare që shpërthyen në vitin 1968 në Kosovë dhe në qytetin e Tetovës, ndikuan drejtpërdrejti në ngritjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve nën RSF të Jugosllavisë, atëherë padyshim se demonstratat studentore të organizuara gjatë muajve mars-prill 1981 në Prishtinë dhe nëpër qytete tjera të Kosovës, do të jenë si pretekst që autoritetet komuniste jugosllave të ndërmarrin masa të dhunshme, për, siç thuhej, “shuarjen e kundërrevolucionit në Kosovë”. Masa të ngjashme si në Kosovë, madje edhe më të ashpra u ndërmorën edhe në RS të Maqedonisë, veçmas në sferën e arsimit e të kulturës shqiptare. Në konkluzionin që Kuvendi i RS të Maqedonisë, e miratoi më datë 27 maj 1981, ndër të tjerave thuhej: “Kuvendi vë në dukje edhe për nevojën e rishqyrtimit të plotë të atyre plan-programeve dhe të librave nga aspekti ideor e edukativ dhe për situatën në historiografi”.
Rrjedhimisht, Kryesia e KQ të LKM-së, formoi një komision, me detyrë speciale të “shqyrtojë gjendjen dhe problemet e realizimit të veprimtarisë edukativo-arsimore në gjuhën shqipe”, përkatësisht rishqyrtimin e plan-programeve mësimore të shkollave fillore e të mesme me mësim në gjuhën shqipe, të librave dhe literaturës shkollore, përmbajtjen e fletushkave për fëmijë, analizën e organizimit të aktiviteteve të lira të nxënësve dhe veprimtarisë publike kulturore etj.
Komisioni, në korrik të vitit 1981, hartoi Analizën për gjendjen e përgjithshme të arsimit shqip në RSM, e cila u miratua në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKM-së, mbajtur më 12 janar 1982. Rëndësi të veçantë në këtë Analizë i kushtohej planeve dhe programeve mësimore për arsimin fillor e të mesëm, si dhe teksteve shkollore, me theks të veçantë për Librin e Leximit nga klasa V-VIII dhe libri i Historisë nga klasa V-VIII të shkollimit fillor dhe nga viti I-IV në shkollimin e mesëm. Duke e pasur parasysh se problemi i teksteve shkollore në gjuhën shqipe edhe pas më shumë se 40 vite, ende nuk e ka marrë zgjidhjen e duhur, e pashë të arsyeshme që në këtë numër të gazetës shqiptare KOHA – Shkup, ta paraqes të plotë, pjesën e Analizës së lartpërmendur, ku përshkruhen planet dhe programet mësimore dhe tekstet shkollore për mësimin fillor, të mesëm e të lartë në gjuhën shqipe:
PLANET DHE PROGRAMET MËSIMORE PËR MËSIM NË GJUHËN SHQIPE
“Planet dhe programet mësimore për arsimin dhe edukimin fillor e të mesëm
Planet mësimore për arsimin dhe edukimin fillor e të mesëm në gjuhën shqipe janë të njëjta me ato në gjuhën maqedonase, me atë dallim që, në vend të, lëndës mësimore – një ndër gjuhët e kombeve, përkatësisht kombësive në RSFJ, i cili në planin mësimor në gjuhën maqedonase përfshihet në klasën e V e të VI me tre orë në javë, në planin mësimor në gjuhën shqipe nga klasa e III të arsimit fillor e deri në vitin e IV të arsimit të mesëm është përfshi lënda e gjuhës maqedonase me 2 orë në javë. Programi mësimor për letërsinë për arsimin e mesëm në gjuhën shqipe dallon nga programi mësimor për gjuhën maqedonase sa i përket shpërndarjes së materialit sipas klasave. Për shembull, përderisa programi mësimor për letërsi në gjuhën maqedonase deri në vitin e II e përfshinë letërsinë moderne dhe bashkëkohore, programi mësimor për letërsi në gjuhën shqipe deri në vitin e II e përfshinë vetëm romantizmin, ndërsa letërsia moderne dhe bashkëkohore përfshihet në programet e viteve të III e të IV.
Programi mësimor për letërsi në gjuhën shqipe e përfshinë letërsinë botërore, letërsinë e kombeve e kombësive të RSFJ-së dhe letërsinë e RPS të Shqipërisë. Në këtë program letërsia maqedonase përfaqësohet vetëm përmes lekturës, për arsye se është përfshirë në programin mësimor të lëndës gjuhë dhe letërsi maqedonase në arsimin fillor e të mesëm në gjuhën mësimore shqipe. Ky program dallon edhe sa i përket përfaqësimit të autorëve dhe veprave të letërsisë botërore dhe jugosllave.
Ky dallim sqarohet me faktin se gjatë përpunimit të programeve mësimore për gjuhë dhe letërsi shqipe ka ndikuar edhe situata me përkthimin në gjuhën shqipe të veprave nga letërsia botërore, jugosllave dhe maqedonase. Dallime ka edhe sa i përket numrit të orëve për përpunimin e materialit letrarë, për shembull, letërsia botërore me mësim në gjuhën shqipe nga viti i I deri në të IV përfshihet me 62 orë, jugosllavja me 37 orë, letërsia shqipe me 105 orë, ndërsa në programin mësimor me mësim në gjuhën maqedonase nga viti i I deri në të IV letërsia botërore përfshihet me 89 orë, jugosllavja me 66 orë dhe ajo maqedonase me 93 orë. Letërsia maqedonase për nxënësit e kombësisë shqiptare përfshihet edhe në programin mësimor të gjuhës maqedonase me 98 orë. Këto dallime të panevojshme dhe të pa bazuara ndërmjet programeve, që në vetvete bartin pasoja të caktuara negative, janë mënjanuar me programin e ri mësimor me mësim në gjuhën shqipe i cili do të hyjë në përdorim në vitin shkollor 1982/83. Me këtë mundësohet që nxënësit me bazat e përbashkëta të arsimit të orientuar të marrin njohuri të njëjtë nga letërsia, ashtu siç është vendosur edhe në programin me mësim në gjuhën maqedonase.
Programi i ri, duke e implementuar parimin e korrelacionit, është i çliruar nga historizmi dhe faktografia, veçanërisht nga përmbajtjet që mësohen edhe në lëndën e historisë (kështu p.sh., në suazat e temës mësimore rilindja kombëtare shqiptare, në programet mësimore është përfshi përmbajtja për Lidhjen e Prizrenit, ndërsa kjo nuk është përfshi në programin e ri bashkëkohor). Në lekturën shkollore në gjuhën shqipe, në shkollimin fillor, dominojnë autorët nga RSFJ, ndërsa në shkollimin e mesëm veprat e autorëve – shqiptarë nga RPS e Shqipërisë.
Në edukimin dhe arsimimin fillor e të mesëm janë përfshi vepra të autorëve nga RPS e Shqipërisë të cilët ende janë gjallë. Veprat, përpunojnë kryesisht ngjarje nga e kaluara më e vjetër të kombit shqiptar dhe të periudhës së pasluftës në RPS të Shqipërisë. Kjo letërsi nuk ka elemente që i përkasin luftës së kombeve e kombësive jugosllave, mirëpo mund të ketë ndikim negativ nëse gjatë përpunimit të veprave nuk implementohet një vlerësim më i plotë kritik.
Në lekturën shkollore gjenden edhe vepra siç janë: “Një vjeshtë e bujshme” nga Ali Avdi Hoxha dhe “Rikthesa” nga Fatmir Gjata të cilat bazohen mbi parimet e real-socializmit, të ngarkuara me historizëm dhe mbivlerësime dhe me prirjen e saj ideologjike i përmbush nevojat e ideologjisë së RPS të Shqipërisë. Këto vepra janë ribotuar në KSA të Kosovës dhe nuk kanë tekste shoqëruese nga kritikët tanë letrarë, parathënie, pasthënie, e me këtë është vështirësuar përpunimi dhe ndërtimi i qëndrimit kritik tek nxënësit. Përveç kësaj, në lekturën shkollore janë paraparë edhe shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritoro Agolli, të cilët lidhur me ngjarjet e paradokohshme në KSA të Kosovës patën paraqitje drejtuar kundër vendit tonë, bashkëjetesës dhe kulturës së kombeve të caktuara tona.
PROGRAMI MËSIMOR PËR LËNDËN E HISTORISË
Pjesa më e madhe nga përmbajtjet e programeve mësimore ekzistuese për lëndën e historisë në të gjitha gjuhët mësimore është e unifikuar. Përmbajtje historike të veçanta janë dhënë me anekse në përputhje me ligjet për edukimin dhe arsimimin fillor e të mesëm. Përmbajtjet nga historia e popujve jugosllavë, historia e përgjithshme dhe historia e popullit maqedonas mësohen në mënyrë të unifikuar dhe të sinkronizuar që kjo mundëson njohuri të plotë e sistematike dhe theksimin e ndikimeve të ndërsjella kulturore e të tjera ndërmjet kombeve e kombësive të caktuara. Është bërë përpjekje që në programet të ketë përfaqësim sa më të barabartë të historisë së kombeve e kombësive tjera për njohje sa më të mirë reciproke dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha në bashkësinë tonë.
Me anekset nga klasa e V-VIII për edukimin fillor dhe nga viti i I-IV për arsimin dhe edukimin e mesëm janë paraparë ngjarje më të rëndësishme nga historia e popullit shqiptar në RS të Maqedonisë dhe RSF të Jugosllavisë dhe përmbajtje nga historia e popullit shqiptar në përgjithësi. Përmbajtje plotësuese të këtilla janë parapa edhe në programet e reja mësimore të cilët japin pasqyrim më të madh të zhvillimit historik të kësaj kombësie.
Në librat për shkollat me mësim në gjuhën shqipe programi plotësues përpunohet aty ku i takon vendi kronologjikisht, duke e zgjeruar, përkatësisht shkurtuar përmbajtjen bazë të librit shkollor. Përpunimi në këtë mënyrë të historisë mundëson lidhjen dhe theksimin e atyre ngjarjeve dhe të marrëdhënieve shoqërore-ekonomike në të cilat kombet e kombësitë tona në territore dhe etapa të caktuara të zhvillimit të tyre janë përfshi në lëvizje historike të përbashkëta, duke i vërë në dukje njëkohësisht ngjarjet që i kanë lidhur gjatë historisë, por edhe kundërthëniet. Pasqyra e përmbajtjeve të programeve mësimore për lëndën e historisë tregon se nuk ka asi përmbajtje që do të ishin në kundërshtim me përcaktimet tona ideore. Në lëndën e historisë në kuadër të RSF të Jugosllavisë ka ende çështje të hapura e të pazgjidhura (zvogëlimi i fondit të orëve të historisë, vështirësi në planifikimin e përmbajtjeve programore, qasje jo të unifikuar në mësimin e përmbajtjeve nga historia e përgjithshme dhe nacionale, përfaqësimi reciprok të historisë së kombeve e kombësive tona etj.).
Mirëpo, në anekset e programeve për gjuhën mësimore shqipe ka edhe asi programesh të cilët gjatë përpunimit mund të ekzagjerohen dhe keqpërdoren në dëm të bashkëjetesës dhe vëllazërim bashkimit të kombeve e kombësive tona, ndërsa disa të shërbejnë te nxënësit si bazë për zhvillimin e ndjenjave e të qëndrimeve nacionaliste e irredentiste. Inspektimi i programeve nga ky aspekt e tregon sa më poshtë vijon:
– në anekse nuk përmendet se jeta e përbashkët shekullore i ka detyruar maqedonasit, shqiptarët dhe turqit që gjatë marrëdhënieve të ndërsjella të shfrytëzohen me gjuhët e folura dhe se për këtë edhe sot hasen shenja;
– nuk është precizuar veprimtaria e Lidhjes Shqiptare në pasqyrën e saj të vërtetë;
– përsëritet përmbajtja ‘politikë të veçantë ndaj shqiptarëve gjatë Luftës së Parë Botërore’;
– në pjesën ku flitet për Revolucionin Xhonturk nuk është thënë se, krahas themelimit të organizatave kulturore-arsimore dhe politike te maqedonasit, organizata të tilla janë themeluar edhe te shqiptarët në Kosovë dhe në Maqedoni;
– në mënyrë të ekzagjeruar mësohen të gjitha aktivitetet e Skënderbeut;
– në mënyrë të panevojshme dhe të ekzagjeruar mësohen përmbajtjet për Ali Pashë Tepelenën dhe për Shqipërinë në pjesën e dytë të shekullit XIX, të cilat në përmasa të caktuara mësohen edhe në programin e përbashkët për historinë.
Këto vërejtje u përkasin programeve historike ekzistuese, ndërsa në programet e reja tashmë janë përmirësuar pjesa më e madhe e vërejtjeve.
(vijon nesër)