Shkup, 5 prill – Prej gjithsej 555 të infektuarve me koronavirus në vend, 52 (9.5 për qind) janë punonjës shëndetësorë. Fatkeqësisht, ka shumë punonjës shëndetësorë të infektuar në shumë vende të botës. Ata janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët. Prej tyre 34 janë infektuar në kushte spitali, gjegjësisht në kushte ambulance, tha sot në konferencën për media ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Duke pasur parasysh se diku ka të infektuar edhe mjekë, këtu puna është kompromentuar, tha Filipçe dhe si shembull e përmendi repartin Infektiv në Kumanovë, ku në funksion janë dy internistë nga Shkupi dhe nga Shtipi të cilët e organizojnë punën e repartit.
Ai u rekomandoi punonjësve të shëndetësisë që maksimalisht t’i respektojnë protokollet që i kanë nga fillimi i pandemisë, të mbrohen nga brenda dhe jashtë vendit të punës, sepse roli i tyre, shëndeti i tyre, ka rëndësi parësore në këtë moment në vend.
“Shëndeti i kombit dhe shumë jetë varet nga punonjësit shëndetësor. Në këtë mënyrë do të parandalojmë epidemi të përmasave më të mëdha, kështu që ata që janë të shëndoshë do të qëndrojnë të shëndoshë, do të luftojmë virusin dhe do t’i mjekojmë të gjithë ata që janë të sëmurë”, theksoi Filipçe.
Duke iu referuar të dhënave të ditës së sotme, informon se në Klinikën e Sëmundjeve Infektive ka vdekur një burrë 63-vjeçar nga fshati Llabunishtë i Strugës i cili është sjellë me pasqyrë të rëndë klinike, komorbiditete të shumta, si dhe një person tjetër nga Kumanova në SPQ “8 Shtator”, i konfirmuar pozitiv në koronavirus më 1 prill. Nga Klinika pas dy testeve të kontrollit, sqaroi ai, sot tre pacientë janë liruar në shtëpi në gjendje të mirë të përgjithshme, kurse teste shtesë janë duke u pritur për katër pacientë të cilët nëse janë negativ për herë të dytë, do të lëshohen nesër në shtëpi.
Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 72 raste të reja të koronavirusit në vend edhe atë në Shkup – 14, Kumanovë – 21, Shtip – 1, Prilep – 9, Tetovë – 12, Strugë – 1, Veles – 1, Manastir – 2, Gostivar. – 1, Radovish – 1, Krushev – 2, Koçan – 7. Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me KOVID-19 arrin 555 persona. Sipas vendbanimit, deri më tani raste të KOVID-19 janë regjistruar në Shkup – 235, Kumanovë – 114, Dibër – 49, Shtip – 19, Prilep – 33, Tetovë – 29, Strugë – 24, Veles – 10, Manastir – 6, Ohri – 3, Kavadarc – 2, Gostivar – 4, Gjevgjeli – 4, Strumic – 2, Kriva Pallankë – 2, Radovish – 3, Krushevë – 2 dhe Koçan – 14, tha Filipçe.
Për momentin, 74 pacientë janë shtruar në spital në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, 15 janë me manifestim të rëndë të sëmundjes, dhe të tjerët janë në gjendje të mesme deri në të rëndë dhe janë në kondicion të mirë të përgjithshme.
Potencoi se në takimet intensive gjatë ditës së djeshme dhe sot është diskutuar dhe ka filluar zbatimi i strategjive për përfshirjen edhe të kapaciteteve të tjera për trajtimin e pacientëve.
“Në Klinikën për Sëmundje Infektive, përveç që kanë shtretër të lirë në repartin e vetë ndërtesës, tashmë në funksion do të vendoset spitali mobil i cili është instaluar tërësisht. Lidhja me Klinikën ende mungon. Ajrosja, ngrohja dhe ftohja e ajrit është vendosur nga Armata. Sa i përket qasjes për trajtimin e pacientëve, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë, kurse kjo u konkludua në mbledhjen e mëngjesit të Komisionit për sëmundje infektive, pacientët që kanë formë të lehtë të sëmundjes të trajtohen në kushte shtëpie, kurse rastet mesatarisht të rënda dhe të rënda në Klinikën e Sëmundjeve Infektive”, tha Filipçe.
Nga dita e djeshme, theksoi ai, është vendos në funksion SPQ “8 Shtatori” i cili deri më tani ishte i dedikuar për pacientët të dyshuar ose pozitivë në koronavirus, ndërsa kishin nevojë për shërbim tjetër shëndetësor, siç është intervenimi kirurgjik, ose në sallë angiografike ose endoskopike, tani kjo mbetet akoma në këtë mënyrë.
Por, nëse është e nevojshme, siç shpjegohet, do të shfrytëzohen edhe shtretërit në dispozicion nën kontrollin e internistëve dhe infektologëve për trajtim në spital, nëse është e nevojshme të ndihmohet stafi i Klinikës së Sëmundjeve Infektive, ku në dispozicion qëndrojnë 110 shtretër, edhe 130 shtesë në spitalin mobil, kurse në SPQ “8 Shtatori” gjithsej 400 shtretër.
Ai tha se në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë është hapur llogari e veçantë e dedikuar për donacione dhe kanë arritur rreth 500,000 euro, të cilat do të përdoren për blerjen e pajisjeve ose materialeve për trajtimin e pacientëve.